Aktorja amerikane Allison Mack u shpall fajtore për akuzat që lidhen me trafikun e seksit, si mentore e grupit. Duke u shfaqur në gjykatën federale të Bruklinit, Mack u shpall fajtore për shantazh dhe rekrutim të femrave për kultin e seksit Nxvim.
Në një deklaratë, Mack ka pranuar se rekrutonte gra, duke u thënë atyre se do bashkoheshin në një grup grash profesioniste.
“Duhet të marr përgjegjësinë e plotë për sjelljen time”, tha ajo.
Mack, e njohur për serialin amerikan “Smallville”, është një nga gjashtë njerëzit që përballen me akuza kriminale, si pjesë e hetimit në Nxivm.Prokurorët mendojnë se ky grup ka qenë një skemë që funksiononte si piramidë, në të cilën anëtarët paguanin mijëra dollar për kurse që i rrisnin në rang.
Keith Raniere është në majën e kësaj strukture si burri i vetëm në këtë grup, ndërsa znj. Mack vinte menjëherë pas tij.
Rekrutimet e femrave bëheshin falë famës së Ranierit dhe duhet të kryenin marrëdhënie seksuale me të, si pjesë e “sistemit skllav-padron”.
“Allison Mack rekrutonte gratë për t’u bashkuar me grupin që presupozohej të ishte një grup specializimi për femrat, kur në fakt ishte krijuar dhe drejtohej nga Keith Raniere” deklaroi vitin e shkuar avokati Richard Donoghue, për Distriktin Lindor të New York-ut.
Në gjykatë të hënën, Mack tha se ishte instruktuar nga Ranieri që të mblidhte material dhe imazhe kompromentuese të dy grave brenda grupit, në mënyrë që t’i kërcënonin se do i bënin fotot publike nëse ato guxonin të nxirrnin sekretet e grupit.
“Unë kujtoja se qëllimet e Keith Ranierit ishin të ndihmonte njerëzit” tha në gjykatë dje, më 8 prill Mack, “por e kisha gabim.”
Ranieri u arrestua nga FBI në Meksikë vitin e shkuar. Përfaqësuesit e tij ligjorë argumentuan se marrëdhëniet seksuale brenda grupit ishin me konsensus të plotë. Mack u shpall më herët jo fajtore në prill të 2018-s.
Ndërsa tani, ajo do gjykohet në shtator dhe do përballet me maksimumi 20 vjet burg për dy akuza. Muajin e kaluar, bashkë themeluesja e grupit, Nancy Salzman, 65 vjeç, gjithashtu u shpall fajtore për akuzën e rekrutimit. Ajo pritet të dalë para gjykatës në muajin korrik.