Çështja e Kosovës pritet shumë shpejt të jetë një temë diskutimi në Kuvendin e Serbisë.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë kryeparlamentarja serbe, Maja Gojkoviç. Për Këtë sipas saj ka rënë dakord me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiç.
“Ne do të diskutojmë në marrëveshje me presidentin e shtetit dhe qeverinë e Serbisë edhe çështjen e Kosovës. Këto janë tema shumë të rëndësishme dhe kështu ne tregojmë se po mbrojmë interesat e qytetarëve në parlament dhe jam e bindur se të gjithë deputetët do të marrin pjesë në debatin mbi këto tema të rëndësishme”, është shprehur Gojkoviç.
Kujtojmë se më herët, Kuvendi i Kosovës ka miratuar përbërjen e ekipit dhe platformën e dialogut.
Ndërkohë autoritetet në Kosovë dhe Serbi kanë filluar një debat rreth përpjekjeve për unifikimin e qëndrimeve lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse në të dyja vendet.
Megjithatë partitë opozitare si në Kosovë ashtu edhe në Serbi e kundërshtojnë mënyrën se si është zhvilluar dialogu deri më tani.