MENU
klinika

Nga New York Times

Notre-Dame dhe një ‘lumë’ problemesh franceze…

19.04.2019 - 17:31

Të hënën në mbrëmje, edhe para se flaka të ishte zhdukur nga katedralja Notre-Dame, incidenti tashmë ishte bërë simbol, shumë simbole.

Ishte një shenjë e keqe e rënies së Francës, thanë disa. Për një kolumnist, kjo ishte një shenjë e brishtësisë së demokracisë dhe civilizimit perëndimor.

Të martën, aktivistja mjedisore Greta Thunberg, i tha Parlamentit Evropian në Strasburg, “Notre-Dame do të rindërtohet” dhe u bëri thirrje ligjvënësve të shpëtonin planetin. Presidenti Emmanuel Macron deklaroi solemnisht se Notre-Dame, do të restaurohej brenda pesë vjetësh.

Në çdo moment, katedralja e djegur dukej se i bënte thirrje një vendi të shkatërruar që të bashkohej.

Që nga nëntori, të ashtuquajturat “Jelekverdhët” kanë demonstruar në të gjithë vendin kundër rritjes së pabarazive dhe rënies së standardeve të jetesës, duke pohuar gjithashtu se demokracia franceze nuk është mjaftueshëm përfaqësuese.

Monumenti më i famshëm francez filloi të digjej të hënën natën, dhe Macron pritej të dilte në televizion dhe të shpjegonte se si qeveria e tij po propozonte të shuante revoltat shoqërore. Natyrisht, fjalimi i tij u shty, sepse francezët e përqëndruan vëmendjen në qendrën historike të Parisit.

Pas disa orësh, François-Henri Pinault, një nga burrat më të pasur të Francës, ofroi 100 milion euro për të rindërtuar Notre-Dame; Bernard Arnault, i cili kryeson markën luksoze LVMH, ofroi 200 milionë. Brenda pak ditësh, rreth 850 milion euro u premtuan për rindërtimin e katedrales.

Një gazetare sarkastike tha”Paraja nuk derdhet për gjithçka”, duke shtuar se shpërthimi borgjez nga miliarderët francezë ekspozoi vetëm pabarazitë që ndajnë vendin.

Dhurata të tilla nuk janë thjesht një çështje private; ata i kushtojnë shtetit gjithashtu.

Një numër i organeve shtetërore gjithashtu kanë ofruar kontributin. Laurent Wauquiez, i cili kryeson rajonin e Auvergne-Rhône-Alpes dhe partia konservatore Les Républicains, ka ofruar dy milion euro në fondet publike. Qeveritë e tjera lokale kanë ndjekur shembullin.

Nxitimi për të rindërtuar Notre-Dame, megjithëse me qëllim të mirë, theksoi ngadalësinë e qeverisë për të ndihmuar njerëzit, jetët e të cilëve, disa thonë, janë shkatërruar nga neoliberalizmi dhe globalizimi.

Elitat e Francës citojnë Victor Hugo në emër të shpëtimit të katedrales që ai shkroi, me sa duket duke harruar se ai gjithashtu shkroi “Les Misérables”.

Michaël Foessel është profesor i filozofisë në Ecole polytechnique. Etienne Ollion është profesor i asociuar i sociologjisë në Polytechnique dhe një studiues në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve shkencore. Ky ese u përkthye nga frëngjishtja nga The New York Times.