Kancelarja gjermane Angela Merkel filloi turneun e saj në Afrikën Perëndimore të mërkurën, ku do të vizitojë Burkina Faso, Mali dhe Nigerin.
Gjermania do t’i japë më shumë se 20 milionë euro Burkina Fasos dhe mbi 35 milionë euro Nigerit (22.4 milionë dollarë dhe 39 milionë dollarë) për të mbështetur projektet e zhvillimit, si dhe pajisjen dhe trajnimin e punonjësve të policisë në secilin vend, tha ajo.
“Ne folëm për përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe duam të jemi në anën e Burkina Fasos, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit për sigurinë”, u tha gazetarëve Merkel.
“Kjo është e domosdoshme, sepse në lindje dhe në veri të vendit ka fëmijë që nuk mund të shkojnë në shkollë, ku popullsia duket se jeton në pasiguri. Ne duhet t’i japim fund këtyre problemeve sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Berlini premtoi gjithashtu një shtesë prej 60 milionë euro për bashkimin e të ashtuquajturave vende të G5 Sahel – të cilat përfshijnë Burkina Faso, Mali, Niger, Mauritania dhe Çad.
“Afrika ka nevojë për një bum ekonomik vetëmbështetës,” tha ajo.
Pjesa më e madhe e vizitës së Merkel do të përqëndrohet në sigurinë dhe mbështetjen e përpjekjeve kundër terrorizmit në rajonin Sahel. Më parë, zëdhënësi i saj Steffen Seibert tha se rajoni “është bërë fokusi kryesor i politikës së Gjermanisë në Afrikë” dhe se Berlini ishte zotuar për të ndihmuar në trajtimin e numrit në rritje të sulmeve terroriste.
Varfëria dhe konfliktet në zonë kanë zhvendosur miliona njerëz dhe janë disa nga nxitësit kryesorë të migrimit në Evropë.
“Nëse nuk zgjidhim problemet në Afrikë, ata do të vijnë tek ne”, tha të mërkurën Ministri i Zhvillimit Gerd Müller për gazetën Passauer Neue Presse.
Ai vlerësoi udhëtimin e Merkelit në Afrikën Perëndimore si “një sinjal i qartë se nuk do të harrojmë më të varfërit e të varfërve dhe se qëndrojmë pranë tyre”.
Të enjten, ajo do të udhëtojë në Mali për t’u takuar me rreth 850 ushtarë gjermanë të vendosur në pjesën veriore të vendit, si pjesë e një misioni paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara dhe një mision i BE.
Gjatë qëndrimit të saj në Mali, Merkel do të marrë pjesë gjithashtu në një diskutim me studentët e universitetit. Merkel gjithashtu do të vizitojë vendin ku strehimi i grave po ndërtohet në Niger të premten, përpara se të kthehet në Gjermani.