Apartamenti ku punoi dhe jetoi gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, së shpejti do të jetë një derë e hapur për mbarë vizitorët e qytetarët e Tiranës, si dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, ka restauruar të gjithë apartamentin që do të jetë shtëpia-muze e shkrimtarit të madh, që gjendet në Rrugën e Dibrës. Me vendimin e sotëm në Këshillin Bashkiak, vendi ku shkrimtari ynë i madh, përfaqësues i letërsisë shqipe në mbarë botën, hodhi në letër disa prej kryeveprave të tij, do të jetë një muze i hapur.
“I shërben përveç tërheqjes së sa më shumë turistëve dhe zgjatjes së qëndrimit të tyre. Ismaili është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë, jo vetëm sheshi, liqeni, Pazari i ri, kalaja, galeria, tani shtohet edhe “Shtëpia Kadare” dhe më vjen shumë mirë që disa ditë më pas, do të kemi mundësi dhe ta hapim”, është shprehur, Veliaj.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj, një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare, përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit.
Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë, midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie, dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit, ku përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).
Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor, në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin, rrit numrin e turistëve, si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit të mirënjohur në mbarë botën.
Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart, në ndërtesën e famshme të para viteve ’90-të, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete.