MENU
klinika

"Liqeni i mjellmave"

Si do të ishte baleti rus, pa të?

07.05.2019 - 12:31

Brerë nga ambicia dhe ankthi, torturuar nga mendime të dhimbshme dhe kontradiktore, Piotër Iliç Çajkovski mund të ishte fare mirë një nga personazhet e romaneve të Tolstoit apo Dostojevskit. Kompozitori i famshëm rus lindi më 7 maj 1840 në Votkinski dhe vdiq në Shën Petërburg më1893. Kompozitor i patëdytë i romantizmit rus, një nga simfonistët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, dhuntitë e rralla prej melodisti, përzier me sentimentalizmin me lirizmin, i siguruan një popullaritet të përjetshëm.

 

 

Piotër Iliç Çajkovski studioi për drejtësi, pa u shkëputur assesi nga muzika, filloi të fitonte jetesën si nëpunës në Ministrinë e Drejtësisë në Shën Petërburg. Në vitin 1862 u bashkua me institutin e ri muzikor krijuar nga Anton Rubinstein, që më vonë mori emrin Konservatori i Shën Petërburgut. Studioi muzikë dhe kontrapunkt me Nicolai Zaremba, ndërsa orkestrim me Anton Rubinstein. U diplomua në 1865, më pas vendosi t’i përkushtohej muzikës dhe prej vitit 1866, mbajti funskionin e profesorit të harmonisë në Konservatorin e Moskës. Në vitet 1868-1874, përveç mësimit dhe aktiviteteve lidhur me kompozimin, Çajkovski nënshkroi edhe kritika muzikore në shtypin e Moskës. Prej vitit 1877, Çajkovski krijoi një marrëdhënie të veçantë me vejushën e pasur, Nadejda von Meck, admiruese e veprave të tij. Me mbështetjen e saj, pasi vendos t’i paguajë kuotë vjetrore prej 6000 rubla, jep dorëheqjen nga Konservatori për t’iu kushtuar vetëm kompozimit. Nuk do takoheshin kurrë me njëri-tjetrin, edhe pse nganjëherë qëndronin në të njëjtat qytete. Marrëdhënia e tyre do të mbetej vetëm epistolare, çka tregon një miqësi të madhe dhe të thellë. Simfonia Nr. 4 i dedikohej znj. Von Meck.

Për të mohuar thashethemet rreth homoseksualitetit, që mund t’i pengonte karrierën, Çajkovski u martua në vitin 1877 me një nga studentet e tij, Antonina Miliukova, martesë e cila rezultoi një dështim i dhimbshëm. Suksesi në rritje kapërceu kufijtë e Rusisë dhe ai dirigjoi veprat e veta në shumë vende. Shtetet e Bashkuara do t’i vizitonte vetëm një herë, më 1891, ku do të pritej me nderimet e një muzikanti të madh.

 

 

 

Çajkovski kompozoi në të gjitha zhanret: opera, piano, simfoni, muzikë dhome, vokale etj. Sa i përket muzikës qëndron larg lëvizjes kombëtare të Grupit të të Pestëve, edhe pse në punën e tij elementi rus është thelbësor, përfshirë këtu këngët tradicionale që i përdor instiktivisht. Muzika e tij pasqyron personalitetin e brendshëm shpesh të trazuar, karakteri sentimental mund të ketë ngjallur kritika, por gjenialiteti i melodive të tij ishte një dhuratë e rrallë. I turbulluar, sigurisht që ishte. Por kjo nuk e pengoi të bëhej një nga simfonistët më të njohur të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përkundrazi. Ai gëzon një dhuratë të padiskutueshme për melodinë dhe, larg të qenit acaruese, lirika e tij është e pastër dhe autentike. Çajkovski i dha rëndësi muzikës së baletit dhe pati ndikim të madh tek disa muzikantë moskovitë, përfshirë Anton Arenski dhe Sergei Rahmaninov. Me gjashtë simfonitë e tij, Çajkovski i dha simfoninë romantike ruse një fisnikëri të jashtëzakonshme. Simfonitë e tij ndahen në dy grupe: gjykuar të pabarabarta, tre të parat prej kohësh janë lënë pas dore në favor të tre të tjerave. Edhe pse kronologjikisht të larguara nga njëra-tjetra, ato formojnë ciklin e një teme të dashur për autorin: fatumin.

 

 

Vdekje misterioze, kërpudha dhe martesë e dështuar, këto tri elemente gjenden në jetën e kompozitorit rus. Ndër veprat kryesore përmendim: “Koncert për piano 1” (1875), “6 simfonitë”, hapja “Romeo dhe Zhulieta” (1870), baleti “Liqeni i Mjellmave” (1876), “Bukuroshja e Fjetur” (1889) dhe “Arrëthyesi” (1891),  etj.

Në vitet 1880, reputacioni i Çajkovskit u rrit ndjeshëm në Rusi. Kompozitor eklektik, ai është autor i njëmbëdhjetë veprave, tetë simfonive, katër suitave për orkestër, pesë koncerte, tre balete, qindra melodive dhe pjesëve për piano.

Vdiq në Shën Petërburg, pak pas krijimit të Simfonisë Nr. 6. Rreth tetë mijë njerëz morën pjesë në funeral dhe, prej vitit 1940, Konservatori i Moskës mban emrin e tij.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB