MENU
klinika

Deklarata

Protesta e radhës/ Lleshaj: Do ndiqet strategjia 1;1;0

17.05.2019 - 13:43

Teksa ndodhet në Korçë në një prononcim për mediat, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi opozitën dhe politikanët, të cilët sipas tij duan të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai tha se kushdo që del nga “binarët e arsyes” do të përballet me ndëshkimin e ashpër të ligjit.

Gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të qarkut, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe autoritetet lokale, Sandër Lleshaj ka thënë se:

Kushdo që del nga binarët e arsyes dhe thjesht mendon që mund të cenojë të drejtën legjitimë dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë për të votuar, të jetë nën kujdesin ligjor të Policisë, në mënyrë që asgjë të mos ngelet i paditur, e paevidentuar dhe e pandëshkuar në ato raste që ndëshkimi do të jetë i merituar“.

Prononcimi i plotë për mediat:

Ministri Lleshaj: Për arsye se kështu e kërkon Kushtetuta dhe ndalimi i tyre nuk është atribut i kurrkujt, askush nuk mund t’i ndalojë zgjedhjet, zgjedhjet janë të qytetarëve shqiptarë. Sigurisht që nëse do të ketë njerëz që do të dalin nga kufijtë e arsyes dhe të ligjit, patjetër që organet përkatëse të sigurisë dhe të ligjzbatimit do të marrin masat e duhura. Plane ka për gjithçka.

Pyetje: Zoti ministër, në datën 25, opozita ka lajmëruar sërish për një protestë të opozitës së bashkuar. Gazi lotues do të përdoret po aq fuqishëm sa në protestat e tjera?

Ministri Lleshaj: Pyetja nuk shtrohet kështu, megjithëse nuk ju themi se si të bëni pyetje, por në qoftë se flasim për protesta dhe për masa të tjera të karakterit demokratik janë të mirëpritura nga të gjithë ne, pra Policia e Shtetit i mirëpret.

Pyetje: A do të jeni pak më të kursyer, këtu e kisha pyetjen. A do të jetë proporcional reagimi i Policisë së Shtetit ndaj reagimit të protestuesve?

Ministri Lleshaj: Çështjet e reagimit të policisë ndaj protestuesve i ka në dorë Policia, ministri nuk merret me çështje të karakterit operacional. Po ju them që policia ka këtë qasje dhe detyra e dhënë nga ministri, që është shndërruar në strategji është “1 1 0”: një moment më mbrapa në kohë, pra Policia do të reagojë gjithmonë një hap më mbrapa; një shkallë më poshtë në nivelin e dhunës dhe 0 viktima, kjo është qasja e Policisë; pra gjithmonë më pak sesa ajo që është përballë, nëse dikush ngre dorën kundër Policisë sigurisht Policia do të përgjigjet, sepse duhet të përgjigjet, por gjithmonë reagimi i Policisë do të jetë proporcional dhe gjithmonë më poshtë sesa reagimi i atyre që ngrenë dorën ose tentojnë të ballafaqohen me Policinë e Shtetit.

Pyetje: Kush tejkalon reagimin, do të mbajë përgjegjësi dhe nga ana e Policisë?

Ministri Lleshaj: Kush tejkalon reagimin patjetër.

Pyetje: Ka mbajtur deri tani, ka pasur të proceduar nga radhët e Policisë?

Ministri Lleshaj: Nuk ka pasur, sepse nuk ka pasur asnjë tejklalim nga radhët e Policisë në të gjitha protestat.

Pyetje: Keni hetuar për këtë Policinë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që po. Policia ka një strukturë të tërë, e cila merret vetëm me verifikimin e standardeve të sjelljes së saj.

Pyetje: Ky vit zgjedhor a mund të shfrytëzohet për bimët narkotike? Po e bëj të thjesht pyetjen, cilat do të jenë masat që do të merren?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që elementët kriminal, rrjetet kriminale, trafikantët kërkojnë mjegull për të ushtruar ose për të zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal. Mund të ekzistojë iluzioni që duke qenë se është një vit zgjedhor, vigjilenca e institucioneve mund të jetë e reduktuar, unë sapo e kam diskutuar këtë çështje edhe me drejtuesit e degëve territoriale dhe drejtuesit e tjerë të pushtetit vendor këtu në Korçë që, jo vetëm që vigjilenca nuk do të ulet, por ajo do të shtohet pikërisht për arsye se është një vit zgjedhor dhe ashpërsia e reagimit të institucioneve ligjzbatuese do të shtohet pikërisht për arsye se kemi të bëjmë me një vit zgjedhor dhe pikërisht sepse kemi të bëjmë me një prioritet të madh kombëtar, i cili synon ta zhdukë përfundimisht kultivimin e narkotikëve nga sipërfaqja e Shqipërisë.

Pyetje: Do ta realizoni një gjë të tillë?

Ministri Lleshaj: Patjetër që po, nuk ka asnjë rrugë tjetër. Dështimi nuk është opsion. Faleminderit!