MENU
klinika

Tarifa për mallrat meksikanë

Trump, luftë tregtare edhe me Meksikën?

31.05.2019 - 15:39

Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar se do të vendosë tarifa për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika, duke kërkuar që vendi të frenojë imigracionin e paligjshëm në SHBA.

Në një postim në Twitter, Trump tha se që nga 10 qershori do të vendoset një tarifë prej 5% dhe ngadalë do të rritet “derisa të përmirësohet problemi i emigracionit të paligjshëm”.

Jesús Seade, diplomati më i lartë i Meksikës për Amerikën e Veriut, tha se tarifat e propozuara do të ishin “katastrofike”.

Trump shpalli një emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë në shkurt. Ai tha se ishte e nevojshme për të trajtuar atë që ai pretendonte se ishte një krizë në kufirin jugor të SHBA.

 

Kritikët thonë se po keqpërdorin dhe keqtrajtojnë emigrantët.

Presidenti amerikan ka akuzuar gjatë Meksikën se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e njerëzve dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për të ushtruar presion mbi shtetin fqinj.

Seade tha se Meksika “duhet të reagojë fuqishëm” nëse tarifat vendosen me të vërtetë. Megjithatë, presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador u përgjigj duke thënë se nuk donte “konfrontim”.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore dhe gjatë gjithë kohës së tij në detyrë, Presidenti Trump ka kërkuar fonde për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se presidenti do të përdorte Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave për të zbatuar tarifat e reja në Meksikë. Njoftimi erdhi në të njëjtën ditë kur Shtëpia e Bardhë i tha Kongresit se kishte planifikuar të vazhdonte një marrëveshje të re tregtare me Meksikën dhe Kanadanë.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se tarifat do të rriteshin me pesë përqind çdo muaj deri më 1 tetor, kur norma do të arrinte 25%.

Propozimi i fundit i tarifave të Presidentit Trump është i nxitur nga një çështje politike – gjë që nuk do të thotë që lëvizjet e tarifave të mëparshme nuk kishin ndonjë politikë prapa tyre. Por sigurisht që do të ketë pasoja financiare dhe ekonomike.