MENU
klinika

Sulmi i 150 në 2019 në SHBA

Të shtëna me armë në Virxhinia, 12 të vrarë

01.06.2019 - 09:49

12 vetë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të premten gjatë një sulmi masiv në një ndërtesë qeveritare në shtetin e Virxhinias.

Policia tha se i dyshuari, një punonjës i qytetit në Vixhinia, qëlloi drejt njerëzve “pa dallim” në një ndërtesë publike.

I armatosuri, identiteti i të cilit nuk u bë publik, u vra në një shkëmbim me armë zjarri me policinë.

Sulmi filloi pak pas orës 16:00 (20:00 GMT), në Qendrën Komunale të Virginia Beach, në një zonë që është shtëpia e një numri të ndërtesave të qeverisë së qytetit. Zona u bllokua nga policia dhe punonjësit u evakuan.

Një nga viktimat u qëllua jashtë në një makinë, dhe pjesa tjetër u gjetën në tre kate të ndërtesës qeveritare, tha shefi i policisë James Cervera.

Katër oficerë hynë në ndërtesë dhe e gjetën personin e armatosur brenda, tha shefi Cervera.  Shefi i policisë tha se vendi i krimit ishte “i tmerrshëm” dhe mund të “përshkruhej më mirë si një zonë lufte”.

Policia gjeti një pushkë dhe një pistoletë, që mendohej se ishte përdorur nga i dyshuari, në vendngjarje.

Identitetet e 12 viktimave dhe të dyshuarit ende nuk janë bërë publike. Shefi Cervera tha se emri i të dyshuarit do të lëshohej vetëm pas njoftimit të familjeve të viktimave.

“Ne do të përmendim emrin e tij një herë dhe pastaj ai do të quhet përgjithmonë si ‘i dyshuari’, sepse fokusi ynë tani është dinjiteti dhe respektimi i viktimave në këtë rast dhe familjeve të tyre,” tha ai.

Të paktën katër persona thuhet se janë plagosur, përfshirë një oficer policie, por nuk dihet se sa janë lënduar.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Trump ishte informuar për të shtënat. FBI ishte në vendin e ngjarjes duke ndihmuar autoritetet lokale të hetojnë vrasjen, njoftoi media amerikane.

Sipas Arkivit të Dhunës së Armëve, incidenti është  sulmi i  150-të në SHBA deri më tani në 2019.