Filmi “Broken” i regjisorit dhe skenaristit Edmond Budina, vlerësohet me dy çmime prestigjioze, në Festivalin e Filmit të Gardës, në Itali.
Në këtë festival, “Broken” (Të thyer) u shpall filmi më i mirë, duke marrë dhe vlerësimin e kritikës. Në film interpretojnë aktorët e njohur shqiptarë: Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj.
Producentja Adele Budina, shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim. “Dy fitore të tjera për “Broken”, filmi i fundit i Edmond Budinës, që jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si filmi më i mirë, por njëkohësisht edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, – shprehet Adele Budina, duke falënderuar organizatorët e festivalit, Veronica Maffizzoli-n, gjithë ekipin e saj, publikun, jurinë dhe kryetarin e bashkisë që i dorëzoi çmimet regjisorit. “Jam krenare për filmin, për vendin tim, për babanë Edmondin, si e bija e tij, por edhe si producente”, – shprehet e emocionuar producentja, Adele Budina.
“Të thyer” ka fituar edhe çmime të tjera: në 2018-ën, filmi “Broken”, me skenar dhe regji nga Edmond Budina, u shpall fitues i festivalit të 72-të Salernos në Itali. Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri, i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka, nën interpretimin e aktorit të njohur, Laert Vasili.
Filmi është xhiruar në vitin 2015 dhe siç ka pohuar dhe më herët regjisori, për këtë projekt ai ka punuar prej disa vitesh. Filmi, bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas, është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni.
Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, trajton realitetin shqiptar dhe problematikat e shoqërisë shqiptare. Budina ka rrëfyer, se është një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, një film ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë. “Unë ngre probleme që shqetësojnë njerëzit. Ndotja e ambientit, raporti prind -fëmijë është një tjetër problem, korrupsioni, braktisja e fshatit, mbyllja e prindërve nëpër azile, të gjitha këto janë në film në copëza të vogla, ndaj secili mund ta gjejë veten aty. Shpresoj të jetë diçka tjetër nga çfarë kemi parë deri tani dhe shqiptarët ta ndjejnë veten mirë në këtë film, pavarësisht se ka brenda edhe dhimbjen edhe humorin, i ka të gjitha bashkë”, – ka theksuar Budina.
Së fundi, emri i tij është bërë i njohur si skenarist dhe regjisor, por Budinës nuk i kanë munguar rolet në filmat më të mirë shqiptarë. Ai ka luajtur role në filmat “Dollia e dasmës sime”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Nusja”, “Dora e ngrohtë”, “Ballë për ballë”, “Vendimi”, “Muri i gjallë”, “Koha nuk pret”, etj. Ndërsa në filmin “Të thyer”, fituesin e dy çmimeve prestigjioze në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali, Edmond Budina interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Edhe ky rol, për Budinën mbetet një rol i spikatur dhe nuk i mungoi vlerësimi i kritikës.
Përvoja në aktrim e regjisorit shqiptar, që prej disa vitesh ka fituar trofetë e festivaleve ndërkombëtare prestigjioze, është e pasuruar edhe nga përvoja e gjatë dhe e suksesshme, si në kinema edhe në skenën teatër. Ai numëron rreth 45 role, në pjesën më të madhe si protagonist, në dramat kombëtare e të huaja, ku spikasin: Profesor Jani në “Karnavalet e Korçës” nga S.Çomora; Pali në “Përmbytja e madhe” nga K.Jakova; Bujari në “Zonja nga qyteti”; Fatmiri në “Furrnalta”; Sala në “Një shoqe nga fshati” nga R. Pulaha; Ismail Qemali, Toni i Prenkës, “Udha e flamurit”; “Besa e madhe”, M.Markaj; Ferdinandi në “Luiza Miler”, Shiler; Jun Gabriel, “Borkman” Ibsen; Bif, “Vdekja e komisionerit”, Miler; Ribakov, “Orët e Kremlinit”, Pogodin; Aktori “Monserat”, Rables, etj.