MENU
klinika

Deklarata

DASH “ultimatum” Kosovës dhe Serbisë: Qëndroni larg…

22.06.2019 - 16:38

Departamenti Amerikan i Shtetit bën me dije se SHBA-të vijojnë të përkrahin dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhenieve Serbi-Kosovë.

Në një deklaratë me shkrim nga DASH theksohet se “Beogradi dhe Prishtina duhet të largojnë pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”.

Ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në, si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, senatori Ron Johnson, kryesues i nënkëshillit për Evropë dhe bashkëpunim për siguri rajonale, në Këshillin e Senatit për Punë të Jashtme, ka thënë se është “dëshpëruar që takimi në Paris ndoshta nuk do të mbahet”.

Arritja sa më parë e marrëveshjes, do t’i kontribuonte stabilitetit të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Shpresoj që liderët në Beograd dhe Prishtinë të takohen së shpejti, të vazhdojnë bisedimet dhe të vazhdojnë të punojnë për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Johnson.

Takimi në Paris, i paralajmëruar për 1 korrik, në të cilin është dashur që të takohen përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, është shtyrë për afat të pacaktuar.