Kia Joorabchian, menaxheri i sulmuezit brazilian Philippe Coutinho, në një intervistë për Sky Sports ka folur gjatë për të ardhmen e lojtarit.
Ai ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur kohët e fundit me 27-vjeçarin, duke komentuar edhe zërat për transferimin e tij.
Fillimisht ai tregon në lidhje me një takim që ka patur me presidentin e Barcelona, Josep Bartomeu:
“Jam takuar me të ditën e mërkurë dhe më konfirmoi se Coutinho nuk është në shitje. Më thanë se kurrë nuk e kanë përmendur emrin e tij në ndonjë transferim dhe as nuk e kanë përfshirë si “kartë shkëmbimi” për ndonjë blerje tjetër. Barça më konfirmoi se duan të vazhdojnë bashkëpunimin me Coutinho. Një ekip që po bëhet i fortë nga viti në vit, ndaj duan ta mbajnë Philippe dhe jo ta shesin”, tha menaxheri i sulmuesit.
Më tej, Joorabchian, në lidhje me rikthimin e brazilianit te Liverpool, ekip ku luante para se të transferohej te Barcelona, tha:
“Coutinho nuk ka thënë kurrë se do të largohet dhe është i qetë. Liverpool ka gënjyer kur ka thënë se lojtari dëshiron të rikthehet aty. Gjithashtu, Coutinho nuk ka pranuar kurrë të luajë për ndonjë ekip rival të “reds” në Premier League, pasi ai e ka në zemër ekipin e Liverpool”.
Në fund, menaxheri i Coutinho foli edhe për zërat se ai do jetë pjesë e marrëveshjes që Barça do të arrijë me PSG-në, për rikthimin e Neymar në “Camp Nou”.
“PSG është një klub i madh, por ata kurrë nuk na kanë kontaktuar. As ne nuk kemi patur kurrë ndonjë bisedë me ta.
Nëse Barcelona do të vendosë në të ardhmen të përfshijë Philippe në këtë transferim, atëherë do të ulemi e bisedojmë, për të gjetur më të mirën e mundshme për lojtarin”, u shpreh ai.