Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur një takim të veçantë me kryetaren e Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, në SHBA.
“Në këtë takim miqësor, kryetarja e Kongresit amerikan i ka konfirmuar kryeparlamentarit Veseli përkrahjen e palëkundur amerikane për Kosovën”, njoftohet nga zyra e Veselit.
“Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do t’ju mbështesë gjithmonë”, i ka thënë Pelosi kryeparlamentarit Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar kryetaren e Kongresit amerikan për mbështetjen që ajo, Kongresi amerikan dhe SHBA-të i kanë dhënë Kosovës historikisht.
Veseli ka kërkuar nga kryetarja e Kongresit amerikan, që SHBA-ja të ketë përfshirje edhe më të madhe dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.
Ai ka kërkuar po ashtu përkrahje për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb.