Nacionalistët Hindu kanë dëshiruar prej kohësh t’i japin fund statusit gjysmë autonom të Kashmir, i vetmi shtet me shumicë myslimane të Indisë; partia në pushtet Bharatiya Janata ka thënë prej kohësh se do të vepronte kështu.
Dyshimet u rritën kur mijëra forca të tjera të sigurisë u vendosën aty rreth një javë më parë, dhe kur u urdhëruan pelegrinët dhe turistët që të largoheshin, gjoja për shkak të frikës nga një sulm terrorist.
Megjithatë, vendimi për ndarjen e shtetit në dy është tronditës dhe i rrezikshëm. Disa ekspertë juridikë besojnë se kjo është antikushtetuese.
Mënyra e saj e papritur dhe e pamëshirshme, me arrest shtëpie të politikanëve të njohur, vendosja e një shtetrrethimi dhe ndërprerja e linjave të internetit dhe telefonit, ka të ngjarë të çojë në protesta dhe të ndezë pakënaqësi.
Pakistani ka dënuar tashmë lëvizjen e New Delhi dhe tha se do të “ndërmarrë çfarëdolloj mase” për të mbrojtur njerëzit e Kashmirit. Kina, e cila gjithashtu ka një mosmarrëveshje territoriale, i shpalli veprimet e Indisë të papranueshme dhe të pavlefshme.
Shtatë dekada më parë, pavarësia dhe ndarja i paraqitën Kashmirit zgjedhjen midis dy kombeve. Kur sundimtari i saj pranoi të aderonte në Indi, New Delhi garantoi autonomi. Në realitet, kjo është ‘gërryer’ me kalimin e viteve.
Sekularistët e Indisë e panë statusin e Kashmir si provën e forcës së Indisë si një komb shumëfetar. Por fitorja e dytë e rradhës e majit për BJP i ka dhënë Kryeministrit Narendra Modi, në pushtet që nga viti 2014, mundësi për të realizuar vizionin e tij nacionalist hindu.
Disa ekspertë mendojnë se oferta e Donald Trump për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen me Pakistanin dhe përparimi në bisedimet e paqes në Afganistan mund të ketë luajtur gjithashtu një rol.
Vitet e fundit, shumë njerëz në Kashmir kanë refuzuar separatizmin dhe shumica kanë vendosur besimin e tyre në politike. Megjithatë Delhi ka ndërprerë komunikimet, ka mbyllur rajonin dhe ka vendosur politikanët në arrest shtëpiak.
Pasojat ka të ngjarë të jenë të rënda.