Pesë fotografë bashkohorë, sjellin në një këndvështrim të ri ishullin e Sazanit, dikur i militarizuar. Ekspozita me titull “Sazan: No Man’s Land” (“Sazani: Tokë e Askujt”), e hapur për publikun në Galerinë e Bregdetit, në Radhimë të Vlorës, zbulon disa dimensione të ishullit përmes punimeve nga autorët: Helidon Gjergji, Dritan Hyska, Gaime Meloni, Abi Shehu dhe Gerta Xhaferaj.
Ekspozita u pasurua nga ture nën udhëheqjen e kuratorëve, si dhe aktivitete të tjera kulturore në ambientet e Galerisë së Bregdetit. Kuratorët, Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj, u shprehën së ekspozita vjen si një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një mundësi të re në të ardhmen e ishullit piktoresk.
“Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit, për të treguar potencialin e ishullit dhe kontekstit unik që përfaqëson”, – tha Stefa. Sipas Muçajt, kjo ekspozitë është përpjekje për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Fotografia pasqyron qasjet e ndryshme stilistike dhe analitike të secilit artist të ftuar, por formati dhe përmasat mbeten konstante, duke ekspozuar rregullin dhe estetikën ushtarake.
Artisti Helidon Gjergji e konsideron Sazanin një muze historik, natyror dhe ushtarak.
“Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen dhe paradoksalisht, tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, – tha Gjegji.
Ndërsa, fotografja Abi Shehu, vëren se “shkretia e ishullit të pushton përkundër historisë së tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut që kanë marrë formën e harresës”.
Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje të hollësishme teknike. Po ashtu, u shfaq një intervistë me komandantin e ishullit për 15 vjet gjatë regjimit komunist, Naim Muho – dëshmi që skicon një fotografi më vete të jetës, kur Sazani ishte në lulëzimin e tij.
Një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me Gjirin e Vlorës, solli një këndvështrim të ri mbi ishullin, përtej siluetës së zakonshme që shumica janë mësuar ta shohin.
Ekspozita do të vijojë e hapur deri në shtator, teksa për publikun është çdo ditë e hapur, prej orës 10:00 deri në 20:00.