Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zëvendëspresidenti i SHBA; Mike Pence iu bashkuan liderëve polakë të dielën për të përkujtuar 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i ka kërkuar falje Polonisë, për konfliktin më të përgjakshëm të historisë, gjatë një ceremonie në qytetin Wielun, ku bombat e para ishin hedhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, 80 vjet më parë.
“Përkulem para viktimave të sulmit në Wielun. Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane dhe kërkoj falje nga ju”, tha Steinmeier sot, teksa ju adresua të pranishmëve në gjuhën gjermane dhe atë polake.
Steinmeier foli përkrah homologut të tij polak, Andrezej Duda, i cili denoncoi sulmin e Gjermanisë naziste kundër Polonisë, të cilën e cilësoi si “akt barbar”.
“Ne nuk mund të harrojmë Luftën e Dytë Botërore dhe kur dëshmitarët e asaj ngjarje nuk janë më… në mënyrë që të sigurohemi që ajo që ndodhi në Wielun dhe më vonë edhe në shumë vende të tjera të Polonisë dhe jashtë saj, që të mos përsëriten kurrë”, tha Duda.
Pak vende pësuan vdekje dhe shkatërrim në shkallën e Polonisë. Ajo humbi rreth një të pestën e popullsisë së saj, përfshirë pjesën më të madhe të 3 milion qytetarëve të saj hebrenj. Pas luftës, kryeqyteti i saj i shkatërruar i Varshavës duhej të rindërtohej përsëri nga gërmadhat dhe Polonia mbeti nën sundimin Sovjetik deri në 1989.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdimi i saj për 5 vite rresht shkaktoi tragjedinë më të madhe të shumë kohërave që nga fillimi i njerëzimit. Në këtë luftë u përfshinë mbi 100 milionë njerëz dhe mbi 30 shtete, dhe u vranë rreth 70-85 milionë njerëz, shumica ishin nga BRSS dhe Kina; sigurisht vdekjet në masë u shkaktuan edhe për shkak të gjenocidit, masakrave, Holokausti, bombardimet strategjike, dhe nga uria, si dhe nga përdorimi i armëve bërthamore.
Është pranuar se Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939, pra 80 vite më parë me pushtimin e Polonisë nga Gjermania naziste, dhe dy ditë më vonë Gjermania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Data për fillimin e kësaj lufte në Paqësor është pak më e hershme, ajo e 7 korrik 1937 me fillimin e luftës kino-japoneze, madje dhe më herët kur japonezët pushtuan Mançurine e Kinës më 1931. Sidoqoftë data përkujtimore për shtetet e Evropës është 1 shtator 1939.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore u parapri me Paktin Rbentrop-Molotov që njihet edhe si Pakti Hitler -Stalin në gusht 1939, e cila pasoi me aneksimin e disa territoreve të Polonisë nga Gjermania dhe aneksimin e shteteve balltike dhe një pjese të Polonisë nga BRSS e atëhershme. U krijuan dy Boshte kundërshtare: Boshtë Romë-Berlin-Tokio dhe Boshti Antifashist, që u krijua më vonë pas invazionit nazist ndaj BRSS, SHBA-Angli-BRSS.