Zbardhen sot listat e kandidatëve për deputet në Kosovë.
Siç raportojnë mediat kosovare, sot është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë në KQZ.
Partitë politike kanë punuar në përgatitjen e këtyre listave, mirëpo ende nuk i kanë finalizuar.
E vetmja parti e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë është Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Po ashtu, listën e ka gati edhe AAK-ja, por ende nuk e ka dorëzuar atë në KQZ.
Është thënë se në listat për deputetë nuk do të ketë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Të paktën kështu kanë deklaruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar se LDK ka parim që ata që janë të dënuar nga organet e drejtësisë, nuk do të përfshihen në listën e kandidatëve, percjell telegrafi.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët.
Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re. Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor.
Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro.