Çmimet e pijeve alkoolike në Shqipëri janë po aq shtrenjtë sa në vendet e Bashkimit Europian. Eurostat ka publikuar indeksin e çmimit të pijeve alkoolike sipas metodës së paritetit të fuqisë blerëse.
Mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është 100, çka do të thotë vendet që shënojnë një indeks më të lartë se aq, pijet alkoolike iu kushtojnë mbi mesataren europiane, ndërsa vendet që shënojnë më pak se aq, pijet alkoolike kushtojnë më pak.
Kështu Shqipëria ka shënuar një nivel çmimi prej 99.9 për vitin 2018, pra aq sa mesatarja e BE-së, duke pasur një indeks më të lartë edhe se shumë vende anëtare të BE-së, si Gjermania, Franca, apo Italia (shiko grafikun). Krahasuar me një vit më parë çmimet për pijet alkoolike kanë shënuar rritje, me 5 pikë, nga 94.8, sipas të dhënave të Eurostat.
Ndërsa krahasuar vendet e rajonit, diferenca është shumë më e lartë, duke mbajtur rekord së bashku me Malin e Zi për nivelin e lartë të çmimeve.
Nivelin më të ulët të çmimeve në rajon dhe BE, e ka shënuar Bosnje dhe Hercegovina, ku sipas shifrave të publikuara nga Eurostat për vitin 2018 kishte një nivel çmimesh prej 72. Në raport me një vit më parë çmimet për pijet alkoolike në Bosnje dhe Hercegovinë janë bërë më të lira, me një ndryshim gati 1 pikë.
Pas Bosnjës renditet Maqedonia e Veriut me një nivel çmimi 72.2. Rumania dhe Bullgaria, të cilat renditen pas Bosnjës dhe Maqedonisë, kanë çmimet më të ulëta në BE, duke shënuar në 2018-n një nivel çmimesh përkatësisht 73.6 dhe 74. Nivel i ulët çmimesh është shënuar edhe në vendet e Europës Qendrore si Hungaria me 76.7 dhe Çeki me 82.1.
Në 2018-n, çmimet e pijeve alkoolike në Bashkimin Europian ishin dy më shumë se dy herë më larta në vendin më të shtrenjtë krahasuar me vendin më të lirë.
Kur nivelet e çmimeve në vende krahasohen me indeksin e nivelit mesatar të çmimeve të BE-së prej 100, rezultatet tregojnë se në vitin 2018, çmimi i pijeve alkoolike (pije alkoolike, verë dhe birrë) ishte më i lartë në Finlandë (me një indeks të nivelit të çmimeve 182), e ndjekur nga Irlanda (177) dhe Suedia (152).