Manchester United e gjen përsëri veten në një pozicion jo të favorshëm këtë fillim sezoni me Ole Gunnar Solskjaer në krye të stolit. Duket se tifozeria e ‘Djajve të Kuq’ janë të ndarë, me një pjesë që kërkon shkarkimin e tij të menjëhershëm dhe pjesa tjetër që është e gatshme t’i japë një shans tjetër norvegjezit.
Mediat angleze raportojnë se United po mendon t’ia besojë skuadrën ish-trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri, në rast se do të merrej vendimi për shkarkimin e Solskjaer. Megjithatë, sipas “Tuttosport”, trajneri italian duket se ka disa kushte për klubin anglez para se të pranojë të shkojë në Premier League.
Sipas gazetës italiane, Allegri do të kërkojë nga United të bëjë një ndërhyrje të rëndësishme në merkaton e dimrit nëse do të vendosë të pranojë ofertën e tyre në të ardhmen e afërt. Manchester United shpenzoi plot 169 milionë euro këtë verë duke sjellë në ‘Old Trafford’ lojtarë si Harry Maguire, Daniel James apo Aaron Wan-Bissaka. Megjithatë, ‘Djajtë e Kuq’ do të duhet të bëjnë më tepër se kaq për te luftuar për një vend në Champions sezonin e ardhshëm.
Massimiliano Allegri është aktualisht pa ekip dhe po kalon një periudhë pushimi pas suksesit me skuadrën e Juventusit në Serie A. Shtypi italian ka shkruar gjatë verës se Allegri po merrte leksione anglishteje me synimin për t’u transferuar në Premier League në të ardhmen. Arsenal dhe Chelsea janë interesuar gjithashtu në të kaluarën për gjashtë herë fituesin e Serisë A.