Pas fitores ndaj Romës, Milan nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në Sardegna ndaj Cagliari-t. Zhbllokimi i Gonzalo Higuain në 55’ i dha zemër ekipit kuqezi, por pa mundur të shënojë golin e fitores.
Cagliari shënoi pas vetëm katër minutash lojë me anë të Joao Pedro. Kurioz është fakti se ai shënoi në prekjen e tretë të topit në këtë sezon. Fillimisht goditja e Pavoletti u ndal në shtyllë, por më pas topi shkoi te Joao Pedro dhe ky i fundit mposhti Donnarumma-n.
Milan barazoi në minutën e dhjetë të pjesës së dytë. Gonzalo Higuain mori me nuhatje një top vakant në qendër të zonës së vendasve dhe pasi dribloi portierin Cargno depozitoi topin në rrjetë me portën e boshatisur. Ky ishte goli i parë i argjentinasit me fanellën e kuqezinjve.
Milan arrin barazimin e parë në këtë kampionat dhe kësisoj, pas 270 minutash ka katër pikë, një ritëm që nuk do të mjaftojë për të arritur zonën Champions, objektivi kryesor i kuqezinjve. Cagliari ka marrë pesë pikë në katër javët e para. Milan ka një ndeshje më pak.