MENU
klinika

Rama jep lajme të mira

Falen borxhet e dritave dhe ujit për banesat e prekura nga tërmeti

02.10.2019 - 15:30

Të gjitha godinat e shembura nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë më 21 shtator, që janë bërë të pabanueshme, do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile.

Por të gjithë ata që do të duan t’i ndërtojnë vetë godinat, do të kenë procedura të lehtësuara, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, ku tha se leja e ndërtimit do të merret brenda 5 ditëve pa paguar asnjë taksë. Për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, kreu i qeverisë tha se është bërë marrëveshje me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Ujësjellësin që tu falen të gjitha borxhet e dritave dhe ujit, ndërkohë që do të ketë lehtësi edhe për familjet ndërtesat e të cilave janë dëmtuar por që nuk kanë përfunduar në të pabanueshme.

Rreth 6 milionë dollarë është fondi paraprak për dëmet nga tërmeti tha shefi i mazhorancës, duke shtuar se për të bërë evidentimin përfundimtar të dëmeve nga tërmeti, do të pritet rakordimi mes kontrollit të policisë së shtetit, ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe inxhinierëve nga kompani private, me kontrollin e njësive vendore, për të dalë me një shifër të saktë.

“Duhet të presim një rakordim nga njësitë vendore pasi kanë kërkuar që çdo verifikim të bëhet jo bazuar tek vetëdeklarimet por tek inspektimet, që do jenë të dyfishta. Policia e Shtetit me një grup të Emergjencave Civile dhe me ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve private me inxhinierë, dhe nga ana tjetër, njësitë vendore. Do të bëhet verifikim i plotë dhe shifra të sakta që përputhen jo të përafërta.

Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë, kush do ta bëjë vet, është i lirë ta bëjë vet, nuk do të paguajë asnjë taksë”, tha Rama teksa shtoi se sa i përket godinave me dëme të dukshme nga jashtë, nga verifikimet ka rezultuar se janë vetëm plasaritje sipërfaqësore, dhe nuk ka prekje të strukturave.

Kryeministri Edi Rama tha se ka marrë mbështetjen e disa personaliteteve ndërkombëtare pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 21 shtator.

“Kam pasur komunikime të drejtpërdrejta me Presidentin e Turqisë, Kryeministrin e Italisë, Presidentin e Francës, Kancelarin e Austrisë dhe komunikime të niveleve të tjera, ku dua të veçoj atë të shumëpërkushtuar të ambasadorit të Bashkimit Europian. Gjithashtu kam parë edhe një gatishmëri nga sipërmarrja dhe investitorë të huaj të pranishëm në vendin tonë”, tha Kryeministri.