Deputetja e opozitës parlamentare dhe bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore deklaroi për mediat se afati i kryerjes së Reformës Zgjedhore mbetet në varësi të vendimit të Këshillit Europës në 18 tetor për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Hajdari shtoi se do të ngrihen grupet e punës të përbërë me deputetë të parlamentit që do të merren me disa çështje, si: financimi i partive, vota e emigrantëve, etj.
‘’Folën për proçesin në tërësi. Do të fillojmë të ngremë grupet e punës, ku njëri do të merret për ndryshimin e sistemit. Ka një propozim nga opozita parlamentare. Edhe shoqëria civile ka depozituar rekomandimet e saj. Do t’i marrim parasysh këto rekomandime. Grupet e tjera të punës do të merren me financimet e partive, votën e emigrantëve dhe ndryshimin e sistemit, të cilat do të përbëhen me deputetë të Komisionit Parlamentar’’, u shpreh deputetja Hajdari.
Pavarësisht se PD-ja nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ref. Zgjedhore, Hajdari mbeti e hapur për bashkëpunim me selinë blu.
‘’Ftesa mbetet e hapur për PD-në dhe partië e tjera. Do të donim shumë të sillnin propozimet e tyre, do të donim një dakordësi nga të gjitha palët sepse kjo reformë bëhet për të gjithë shqiptarët. Të gjejmë gjuhën e përbashkët për të krijuar një sistem afatgjatë. Do të ketë reformë tërësore, nuk na ndalon të diskutojmë çështjet e OSBE-ODIHRIT, vendimi do të merret në bashkëpunim të plotë. Opozita parlamentare ka vetëm një qëllim, është ndryshimi i sistemit, që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët e tyre të preferuar. Ne për këtë po luftojmë’’, theksoi Rudina Hajdari.
Për sa i përket afatave të realizimit të Reformës Zgjedhore, bashkëkryetarja e Komisionit në fjalë Rudina Hajdari shtoi se duhet pritur fillimisht vendimi i KE-së në 18 tetor për negociatat për anëtarësim në BE.
‘’Do të shikojmë në javët në vijim. Mos të harrojmë se kemi çështjen e negociatave. Nëse nuk hapen negociatat, do të jemi në një pozicion të vështirë. Reforma dhe negociatat janë në shërbim të vendit. Jemi të përqëndruar te produkti, jo te koha. Po të jemi më të vëmendshëm dhe të kemi më tepër durim, të presim vendimin për vendimin e negociatave’’, përfundoi Rudina Hajdari.