Mësimi në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave mund të zhvillohet me dy turne. Shkak është mungesa e të paktën 7 sallave të cilat në nisje të vitit të ri akademik nuk mund të presin studentët për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmetet dhe përmbytjet e shtatorit.
Rreth 700 studentë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave do të nisin mësimin të hënën e 14 tetorit në këto kushte.
Tre javë pas përmbytjeve nga shiu, kati i tretë i këtij institucioni mbetet jashtë funksionit.
Janë 7 salla në këtë kat, 4 leksionesh dhe 3 seminaresh të cilat nuk janë në kushtet e përshtatshme për të pritur studentët.
Mësimi do të zhvillohet në katin e parë dhe të dytë të Fakultetit që kanë pësuar më pak dëme, si dhe në godinën ku është vendosur Shkolla e Magjistraturës.
Të pyetur nga Ora News, drejtues të Fakultetit thonë se për shkak të mungesës së sallave po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të mësimit me dy turne.
Por vendimi do të merret pas datës 28 tetor, ditë kur nis mësimi për ciklin e dytë të studimeve.
Aktualisht puna në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave është përqëndruar në katin e tretë, i cili ka pësuar dëme të konsiderueshme pas tërmeteve dhe përmbytjeve të muajit shtator. Punimet janë të pjesshme dhe synojnë izolimin e çatisë në mënyrë që të mos depërtojnë shirat.