MENU
klinika

Pse shoqëria ndërton "modele"?

Njerëzit, nocionet abstrakte, idhujt – vetë jeta

11.11.2019 - 15:38

      Fjodor Dostojevski, romancieri rus i shekullit XIX shkroi për personazhe që justifikuan vrasjen në emër të besimeve të tyre ideologjike. Për këtë arsye, ai ka mbetur i rëndësishëm që nga koha e ngritjes së shteteve totalitare të shekullit të 20-të, në “luftën kundër terrorit”.  Më 11 nëntor 1821 lindi në Moskë, Fjodor Dostojevski, shkrimtari, eseisti dhe filozofi rus, ai që solli në jetë kryeveprat e letërsisë botërore: “Krim dhe ndëshkimi”, “Vëllezërit Karamazov” etj. Shkrimtari u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës”, një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit. Në novelat e tij, ai eksploron temat e mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern.

Kur Fjodor Dostojevski përshkroi në romanet e tij se si idetë kanë fuqinë për të ndryshuar jetën e njeriut, ai dinte diçka për atë që po shkruante. Shkrimtari rus ishte në të 20-t, kur u bashkua me një rreth intelektualësh radikalë në Shën Petërburg, të magjepsur nga teoritë utopike socialiste franceze. Një agjent policie, që ishte infiltruar në grup, raportoi gjithçka pranë autoriteteve. Më 22 prill 1849, Dostojevski u arrestua dhe u burgos së bashku me anëtarët e tjerë dhe, pas disa muajsh investigime, u shpallën fajtorë për planifikim e shpërndarje të propagandës subversive dhe u dënuan me vdekje, duke u qëlluar nga skuadra e pushkatimit. Dënimi u ndryshua me dënim në mërgim me punë të rëndë, por autoriteti i carit për të dekretuar jetën ose vdekjen, u konfirmua duke i detyruar të burgosurit t’i nënshtroheshin përvojës së hidhur të një ekzekutimi të simuluar. Në një skelë të menaxhuar me kujdes, Dostojevski dhe pjesa tjetër e grupit u dërguan mëngjesin e 22 dhjetorit 1849, në një terren shoqëruar me paradë regjimenti, me skela të ngrituara dhe zbukuruar me përlhurë të zezë. Krimet dhe sentencat e tyre u lexuan me zë të lartë dhe një prift ortodoks u kërkoi të pendoheshin. Pas kësaj shakaje të hidhur, të burgosurit u degdisën në Siberi. Në 1859, cari i dha fund mërgimit të Dostojevkit në Siberi. Një vit më vonë, iu rikthye botës letrare të Shën Petërburg.

 

Përvoja e kishte ndryshuar thellësisht. Ai nuk e braktisi për asnjë çst mendimin shoqëria ruse duhej të ndryshohej rrënjësisht. Vijonte të besonte se ushtrimi i bujkrobërisë ishte tepër i pamoralshëm, si rrjedhojë deri në fund të jetës e neveriti aristokracinë me tokë. Qysh atëherë ai kuptoi se jeta e njeriut nuk ishte një lëvizje nga e kaluara e prapambetur në një të ardhme më të mirë, pasi besonte ose besonte me gjysmë zemre kur ndante idetë e inteligjencës radikale. Përkundrazi, çdo qenie njerëzore qëndronte në çdo moment në buzë të përjetësisë. Si rezultat i kësaj zbulese, Dostojevski u bë gjithnjë e më shumë mosbesues ndaj ideologjisë përparimtare, ndaj së cilës ai ishte tërhequr që në rini. Ishte posaçërisht i turpëruar për idetë që gjeti në Shën Petërburg kur u kthye nga dekada e mërgimit të Siberisë, pasi brezi i ri i intelektualëve rusë ishin mbërthyer nga teoritë dhe filozofitë evropiane. Materializmi francez, humanizmi gjerman dhe utilitarizmi anglez u shkrinë së bashku në një ndërthurje të veçantë ruse që erdhi në hullinë e quajtur “nihilizëm”.

Ne priremi të mendojmë për një nihilist, si dikush që nuk beson në asgjë, por nihilistët rusë të viteve 1860 ishin shumë të ndryshëm. Ata ishin besimtarë të zjarrtë në shkencë, të cilët donin të shkatërronin traditat fetare dhe morale që kishin udhëhequr njerëzimin në të kaluarën, në mënyrë që të mund të krijohej një botë e re dhe më e mirë. Ka shumë njerëz që besojnë diçka të ngjashme sot. Dostojevski mendonte se e meta në zemër të nihilizmit rus ishte ateizmi, por s’është nevoja të ndajmë pikëpamjen e tij për këtë gjë, pasi kur ai shkruan për fuqinë demonike të ideve ai kapet absolutisht nga një çrregullim i vërtetë njerëzor.  Aktakuza e Dostojevskit për nihilizëm paraqitet në romanin e tij të madh “Demonët”. Botuar në vitin 1872, libri është kritikuar se sa i përket tonalitetit ka didaktikë, madje mendohet se ai dëshironte të tregonte se idetë mbizotëruese të brezit të tij ishin të dëmshme. Po ashtu fabula që tregon Dostojevski është gjithashtu një komedi e errët, mizorisht qesharake në përshkrimin e intelektualëve të virtytshëm, duke luajtur me nocione revolucionare pa kuptuar asgjë se çfarë do të thotë revolucioni në praktikë.

Pra, arrijmë të mendojmë se idetë si “demokracia”, “të drejtat e njeriut” dhe “liria” kanë pasur fuqinë e tyre, e cila mund të transformojë jetën e kujtdo që është i ekspozuar ndaj tyre. Shpesh na pëlqen të mendojmë se shoqëritë liberale janë imune ndaj fuqisë së rrezikshme të ideve, por është një iluzion të mendosh se nuk kemi demonët tanë. Të zotëruar nga konceptet madhështore të lirisë, ne jemi munduar të ndryshojmë sistemet e qeverisjes së vendeve që nuk fillojmë t’i kuptojmë. Ashtu si revolucionarët e mashtruar të romanit të Dostojevskit, ne i kemi shndërruar nocione abstrakte në idhuj dhe sakrifikuam të tjerët dhe veten në përpjekjen për t’i shërbyer atyre.

 

 

Ky autor i madh i shekullit të nëntëmbëdhjetë ka ndikuar te shumë shkrimtarë, nga Niçe në Heminguejy, por edhe në gjithë zhanret letrare, apo rryma filozofike. Nëse ka një romancier, ku temat e vuajtjes dhe shpengimit kanë kuptim, është padyshim Dostojevski. Me të, temat e së mirës dhe të së keqes shtyhen në ekstrem, prandaj sa herë që e lexojmë, tronditemi. Jetët tona, personazhet e tij të torturuar do të vazhdojnë të gjallojnë në imagjinatën dhe ndërgjegjen tonë. Njeriu i të gjitha andrrallave, Dostojevski nuk është një paradoks. Ai, i cili kishte kaluar katër vjet në burg për ide të diskutueshme, në fund të jetës së tij u bë drejtues kori i Rusisë së përjetshme, asaj të papëve dhe popullit të Zotit. I etur për të vërtetën, atij nuk i duhet të bëjë zgjedhje.

Bota mbetet një luginë lotësh dhe individi, i vetëdijshëm për veçorinë e tij, pyet veten se ç’rol duhet të marrë për të justifikuar ekzistencën e tij. Është kjo zbritje në thellësitë e vetëdijes që magjeps lexuesit modern, sepse nëse nuk jep përgjigje, Dostojevski ka aftësinë që vazhdimisht të pyesë veten dhe të shkojë deri në fund të të gjitha kontradiktave. Është kjo pyetje e vazhdueshme që e bën atë një autor të jashtëzakonshëm. Larg të vërtetave të gatshme (socializëm ose kristianizëm), ai kërkon dëshpërimisht një Zot, ndërsa dyshon për ekzistencën e tij.

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen