Agjencia e njohur italiane e lajmeve “ANSA”, ka qenë në terren, për të raportuar tërmetin e tmerrshëm që goditi Shqipërinë dy ditë më parë.
Sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka ndjekur vazhdimisht situatën dhe operacionet e kërkim-shpëtimit, është prenoncuar për të.
Meta ka falënderuar miqtë italianë për mbështetjen që qeveria dhe popullit i tyre i kanë dhënë Shqipërisë në këto momente dramatike.
“Kontributi i Italisë është i jashtëzakonshëm dhe dua të falënderoj të gjithë italianët, qeverinë dhe institucionet shtetërore italiane për reagimin e menjëhershëm dhe kontributin e madh që na kanë dhënë në këtë tragjedi.
Falënderimi është, jo vetëm më e pakta që mund të thuhet për skuadrat tejet profesionale që aktualisht janë duke punuar pa pushim për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, por për gjithçka që Italia po jep për të përballuar këtë tragjedi të rëndë që ka goditur vendin tonë”.
Presidenti Meta ka qenë gjatë gjithë kohës në Durrës, ku forcat e emergjencave civile vazhdojnë kërkimet për njerëzit e mbetur nën rrënoja në qytetin bregdetar dhe më Thumanë.
Ndërkaq, Shqipëria i ka kërkuar ndihmë edhe Bashkimit Europian: “Italia është gjithmonë në mbështetjen tonë, edhe në Bruksel, dhe Komisioni Europian është duke punuar: jam i bindur se shumë shpejt do të vijnë ndihmat që na janë premtuar”, ka shtuar Presidenti Meta.
Deklarata e kreut të shtetit për ANSA-n është publikuar dhe transmetuar nga gazetat dhe televizionet më të rëndësishme italiane.