MENU
klinika

"Shirli Valentina" fonde për tërmetin

Teatri Kombëtar solidarizohet me situatën

03.12.2019 - 16:53

      Rikthehet për mbarë publikun në “ArTurbina”, në datat 7-8 dhjetor, “Shirli Valentina”. Të ardhurat nga shitja e biletave, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. “Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji nga Driada Dervishi. 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se në këto ditë të vështira, të gjitha institucionet kulturore kanë ofruar ndihmë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Jo vetëm ndihma në ushqime dhe veshje, por edhe shfaqje për fëmijët në qendra sociale, apo komplekse hoteliere në Durrës, Lezhë, Kombinat etj.

“Teatri Kombëtar ka ndërmarrë një tjetër nismë. Bashkë me optimizmin që sjell “Shirli Valentina”, vjen edhe ndihma për të prekurit. Në datat 7-8 dhjetor, në “ArTurbina”, salla e madhe 400, rikthehet në skenë për “Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji të Driada Dervishit.

Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti”, – shprehet ministrja e Kulturës.

Ministria e Kulturës inkurajon dhe mbështet të gjitha institucionet kulturore, për t’iu bashkuar kësaj nisme, duke iu gjendur pranë të gjithë atyre, që sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për të gjithë.