Kryetari i Partisë Demokratike në Kosovë, Kadri Veseli ka qëndruar mbi tri orë te Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa është pyetur duke dhënë përgjigje mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas daljes nga Prokuroria Speciale, Kadri Veseli foli para mediave, ku theksoi faktin se UÇK-ja është përballur me agresionin e ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai beson fort në idenë se UÇK-ja i ka bërë ballë një spastrimi etnik, të cilin sipas tij, Serbia ka dëshiruar ta realizojë mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë.
“Siç kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim. E kam përfunduar intervistën. Vitet ‘90 kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, domethënë për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”-tha ai.
Sipas mediave kosovare, Kadri Veseli kishte paralajmëruar se do të mbrohej në heshtje, megjithatë gjithçka pritet të sqarohet në vazhdim duke qenë se intervistimi ka zgjatur më shumë se tri orë.