Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar një ditë më parë se Ramadani është sulmuar fizikimisht nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala.
Sipas AGK-së, Ramadani është nisur drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të marrë informacion rreth gjendjes shëndetësore të Luan Malokut, këshilltarit të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili kishte mbetur i plagosur pas të shtënave me armë në lagjen “Veternik” të Prishtinës.
Inspektoriati ka thënë se ka njoftuar prokurorin kompetent për këtë rast dhe në koordinim me të janë ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë qenë prezent kur ka ndodhur incidenti.
“Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, është thënë mes tjerash në komunikatën e IPK-së,
Pa numëruar rastin e fundit, AGK-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë më herët gjatë ditës së martë se gjatë këtij viti në Kosovë, 17 gazetarë janë përballur me sulme fizike apo janë penguar gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Po të martën, Organizata e Reporterëve pa Kufij ka thënë në raportin e saj vjetor se gazetaria mbetet një “profesion i rrezikshëm”, me 49 gazetarë të vrarë këtë vit, 389 të burgosur dhe 57 të tjerë pengje.