“Një komb ja ka një kulturë kombëtare
ja s’ka asnjë’’
EDUARD SPRANGER
Kultura e Qytetrimi. Gjer sot s’ësht shkruar në gjuhën t’onë një analyzë pak a shum e mirë për këto dy kuptime, që përdorin me të shkruar e me të folur mbase njëmijë herë çdo ditë. Se ç’përfaqësojnë këto dy kuptime të veçanta, s’na intereson dhe kaq këtu. Po ajo që ka një rëndesi krejt themelore për të kuptuar më mirë tendencat qëndrore t’ideologjisë s’onë është caktimi i lidhjevet dhe i pikavet të bashkëta në mes të këtyre dy kuptimeve./Konica.al
Në mes të kulturës dhe qytetrimit ka një pikë që i bashkon dhe një pikë që i ndan. Kaq kultura sa edhe Qytetrimi përmbajnë tërësinë e socialitetit të turmavet njerzore. Me fjalët “tërësi e socialitetit” kuptojmë jetërat shoqërore të ndryshme, jetën fetare, ligjore, esthetike e shkencore. Në mbledhjen e gjithë këtyre jetëve shoqërore të ndryshme mund t’i japim emërin kaq të kulturës sa edhe të Qytetrimit. Kjo ësht pika që i bashkon.
Kultura ësht kombtare, kur se Qytetrimi ësht ndërkombtar. Kulturë do të thotë një mbledhje harmonike e jetës morale, ligjore, esthetike, gjuhësore, ekonomike dhe shkëncore e një populli të vetëm. Kurse Qytetrim do të thotë Socialitet i shtazëvet shoqrore të shumë popujve. Bie fjala, popujt e Europës dhe t’Amerikës janë të një bote së bashktë, që formon qarkun e math të Qytetrimit oksidental. Po brënda në qarkun e këtij qytetrimi, kemi një tok kultura të veçanta e në vehte; kemi kulturën gjermane, engleze, frënge etj.
Qytetrimi ësht tërësia e faktevet shoqrore, që realizohen me anë të methodhës dhe ushqehen nga vullnete individuale. Kurse kultura dhe veprat saja nuk janë realizuar as me anë të methodhës, as nga vullneti i individëvet. Kultura dhe veprat e kulturës s’janë artificiale. Janë origjinale; jane kudo të ndryshme, në vehte; janë të fjeshta. Si jeta organike e shtazavet dhe e bimevet që zhvillohet vetë-vetiu dhe në një mënyrë krejt naturore, kështu edhe veprat e kulturës kanë një rythmë të vet të veçantë e krejt naturor organizimi e zhvillimi…
Gjuha, për shëmbëll, është një organizmë mendore e veçantë, që punon sipas ligjëvet të veta natyrore. D.m.th. s’është një gjë që fabrikohet nga individët me anë të methodhës. Ne s’ndrojmë dot asnjë fjalë të saj. S’jemi në shkallë të ndrrojmë as një rregull te saj. Rregullat e gjuhes linden nga natyra e gjuhës. Fjalët dhe rregullat e gjuhës ndrojnë vet-vetiu. Përpara këtij ndrimi ne jemi vetëm shikonjës e aq. Ajo që mund të bëjnë individët në gjuhë është t’I shtojnë disa terma të ra. Fjalët janë institucjone shoqrore (kultura), kur se tremat e ra janë instalime individuale (qytetërimi). Ngjan shpesh që një ekspresion i ri, i çpikur nga një individ, të përhapet shpejt dhe pa-pandehur në mes të popullit. Po fuqia e kësaj përhapjeje nuk vjen nga individi që e çpiku ekspresjonin e ri. Vjen nga shoqërija. Vjen nga një nga një rrymë e pa-dukeshme e Shoqris, rrymë të cilën individët as e dijnë, as e kapin dot.
Ka apo s’ka një kulturë shqiptare? Kjo themë mund të japij një bazë shumë të pasur për punimin e një Sociologjie shqiptare. Duhet të na mbushet mëndja se Sociologjia si dhe Psykologjia, që të marrin një formë shkencore të vërtetë, duhet të zbatohen në çfaqjet e gjalla të jetës s’onë dhe të studjojnë bazat e Shqiptarismës, jo vetëm si një nga Kombet e ndryshme të botës, po si një fakt sociologjik dhe psykologjik të veçantë, që mbase s’i ngjan as nji tjetri…
Ne sot nuk ndjekim këtu një qëllim të tillë. Po ata që duan të thellojnë mendimin e vet, munden, përveç shëmbllës së gjuhës, të marrin edhe shëmbëlla të tjera nga jeta e jonë shoqrore. Të marrin p.sh. Poezinë popullore, Muzikën, Moralin popullor etj…
Poetët t’onë popullor bënë këngët më lyrike e më rythmike po që s’dijnë as nga masa, as nga rythmi. Muza popullore, shtrati më i shëndoshë i kulturës s’onë, krijohet vetëm nga inspirata. S’di gjë as nga methodba, as nga imitimi. Prrallat dhe fjalët e urta të fshatarëvet t’onë, janë libra filosofike e popullit. Libra të tëra, po shkrimtari as një. Prallën popullore s’e ka çpikur individi. S’ësht vepër e Qytetërimit. Ësht vepër e Kulturës. Kjo ngjan edhe me Moralin. Tjetër është morali i Aristokratit t’onë, tjetër ësht morali i popullit. Morali i aristokratëvet ësht artificial (Qytetërim); morali i popullit ësht i fjeshtë – ësht Kultura e jonë e sotme!…
Kultura lyp qënjen e një solidariteti të sinqertë dhe të një harmonije të thellë në mes të fazavet dhe të çfaqjevet të ndryshme të tërësësisë së jetës shoqrore së një Kombi. Kjo harmoni thua se mungon krejt nga elementet e Oytetërimit. Qytetërimi shqiptar i sotëm ësht një përzierje e përbërë nga institucione të ndryshme – Myslimanizmë, Kristianismë, të gjitha varietet e influencës turke dhe pak Europianismë. Ësht e pa-mundur të përfundojmë në një tërësi harmonike me këto elemente me shumë forma dhe bile shumë herë në kundërshtim në mes të tyre. Ky Qytetrim, që të fitojë një unitet harmonik, duhet të shartohet me një kulturë kombtare: Kultura ësht nisja. Dhe zgjidhja e çlirimit mendor të kombit t’onë. Kjo ësht vepra krijonjëse që pret punëtorët e vet trima dhe të devotuar. Detyra e jonë është të gjyrmojmë dhe të çfaqim kulturën kombtare, që gjendet vetëm mbrënda në shpirtin e popullit, dhe t’a shartojmë me Qytetrimin oksidental të tërë e të gjallë!/Konica.al
Illyria, Nr. 40, 1936