MENU
klinika

Trashëgimi kulturore

Restaurohet pas tërmetit teqeja e Dollmës në Krujë

25.12.2019 - 17:21

       Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës, kanë inspektuar teqenë e Dollmës, në kalanë e Krujës.

Teqeja është monument kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar në vitin 1778 dhe një nga më të rëndësishmit e qytetit të Krujës. Inspektimi pati si qëllim mbledhjen e fragmenteve të afreskut të teqesë, që ishin shkëputur nga muret e saj, pas lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit.

Ministrja e Kulturës, Margariti, tha se “si pasojë e tërmetit teqeja pësoi edhe dëme në strukturë. Po punohet për një projekt restaurimi të ndërtesës dhe të afreskut, në laboratorin e IKTK-së”.

Nën koordinimin e ministrisë së Kulturës, në vijim të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore janë ngritur grupe teknike për inspektime në pasuritë kulturore si dhe në institucionet e artit, kulturës dhe muzetë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, me qëllim raportimin në kohë reale të situatës dhe vlerësimit të gjendjes në objektet me status monumente kulture (të gjinive dhe tipologjive të ndryshme si banesa/ fortifikime/ objekte kulti/ vepra inxhinierike etj.) në të gjithë vendin.