Mo Yan është shkrimtari i parë i Republikës Popullore Kineze, që është vlerësuar me çmimin “Nobel” në vitin 2012. Në gjuhën kineze, pseudonimi i tij nënkupton “ai që hesht”, shprehje e çuditshme kur e dimë se autori i “Klani Sorgho” (i sjellë në ekran nga Zhang Yimou, vlerësuar me çmimin “Ariu i Artë” në Berlin në 1988) është tejet llafazan: vepra e tij nganjëherë ekstravagante përdor me shumë dinakëri regjistra të ndryshëm: fabulat e kafshëve, prozën imagjinare, pantomimat e kudogjendshme, satirën e maskuar si komedi – për të sulmuar dy tabutë më predominuese në vendin e tij: seksin dhe fuqinë, një vend ku ai nuk censurohet./Konica.al
Ndër librat kryesorë citojmë “Klani Sorgho”, ku përshkruhet një periudhë tragjike e historisë kineze, “Vendi i alkoolit”, “Gjoks i madh, vithe të gjera”: – romani rreth njëmijë faqe, cilësor, me emocione të ndërthurura nga rreshti i parë deri në rreshtin e fundit, “Ligji i vrazhdë i Karmës”, “Bretkosat”, etj. Mo Yan, një pseudonim për Guan Moye, ka lindur në 1955 dhe është rritur në Gaomi në Shandong, një provincë në Lindje të Kinës, në një familje fermerësh. Në moshën 12-vjeçare, gjatë revolucionit kulturor, ai la shkollën për të punuar, së pari në bujqësi e më pas në fabrikë. Në vitin 1976, iu bashkua Ushtrisë për Lirinë e Popullit dhe gjatë kësaj kohe nisi të studiojë letërsi dhe të shkruajë. Tregimin e parë e botoi në vitin 1981 në një gazetë letrare. Në krijimet e tij, Mo Yan vizaton eksperiencat e rinisë së tij dhe atmosferën e provincës ku ai u lind. Nga të dhënat e biografisë, libri përbëhet nga pesë tregime që shtjellohen dhe pleksen në Gaomi në disa dekada të turbullta në shekullin XX, me përshkrime të kulturës bandite, pushtimin japonez dhe kushtet e vështira që duhet të duronin punëtorët e varfër të fermave.
Përmes një ndërthurjeje të fantazisë dhe realitetit, perspektivave historike dhe sociale, Mo Yan ka krijuar një botë që i përngjan në kompleksitetin e saj atyre në shkrimet e Uilljam Folkner dhe Gabriel Garsia Markez, në të njëjtën kohë duke gjetur një pikë nisjeje në literaturën e vjetër kineze dhe në traditat gojore. Përveç romaneve, Mo Yan ka botuar shumë tregime të shkurtra dhe ese mbi tema të ndryshme. Me gjithë kritikat e tij shoqërore, ai shihet në vendlindjen e tij si një prej autorëve kryesorë bashkëkohorë. Dhjetëra vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme, si anglisht, italisht, rusisht, frëngjisht, japonisht etj./Konica.al
Ka libra të gjatë që lexohen me një frymë dhe ndonjëherë harrohen po aq shpejt. Ashtu siç ka edhe vepra të gjata, romane të gjata, në të cilat përsosmëria stilistike dhe narrative është e tillë, pasuria e detajeve dhe personazheve aq të rrëshqitshme dhe hipnotizuese, saqë e ngalësojmë qëllimisht leximin për t’iu rikthyer shijimit të çdo pasazhi. Punime që ndonjëherë, pavarësisht gjatësisë së tyre, u rikthehesh sërish për t’i lexuar, sikur në shtresimin e tyre të mos reshtin së rezervuari të papritura dhe risi. Janë pikërisht këto vepra që meritojnë të quhen kryeveprat e kryeveprave, domethënë ato vepra të rralla në të cilat sasia dhe cilësia gjejnë një partneritet të mrekullueshëm, brenda së cilit gjithkush nuk resht së zbuluari universe të reja, sugjerimet të reja, dilema të reja të mendimit dhe ndjenjës. I tillë është edhe rasti i veprës së shkrimtarit kinez Mo Yan. Klasik në qasje, shumë origjinal në paraqitjen e skenave, tejet i detajuar në paraqitjen e gjendjeve shpirtërore dhe pasionet më intime të personazheve… sikurse edhe një rikonstruksion i historisë së Kinës së shekullit XX, pa lënë mënjanë edhe homazhet kushtuar nënës…
Mo Yan ëshë nderuar me çmime brenda dhe jashtë Kinës, ku ndër më të rëndësishmit janë çmimi për letërsinë e huaj në Francë “Laure Batailin”, çmimi për letërsinë ndërkombëtare në Itali “Nanino”, çmimi më i lartë për letërsi në Kinë “Çmimi i Letërsisë Kontradiktore” etj. Në vitin 2012, çmimin “Nobel” për letërsi e mori me motivacionin: “Me realizëm prej iluzionisti bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren”./Konica.al