MENU
klinika

"Çeta e profetëve"

Për herë të parë 7 dorëshkrimet origjinale të Bogdanit!

27.12.2019 - 16:42

     Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Kosovë, u çel ekspozita në nder të Pjetër Bogdanit. Biblioteka, që mban emrin “Pjetër Bogdani”, autorit të veprës monumentale “Çeta e profetëve”, hapi këtë ekspozitë me dorëshkrime origjinale të tij.

“Ekspozita përmban 7 (shtatë) dorëshkrime të Pjetër Bogdanit, zbuluar këto në arkivën e Vatikanit, prej një nga hulumtuesit më të apasionuar, Bejtullah Destani, i cili ia dhuroi këto dorëshkrime fondit të bibliotekës së Kosovës./Konica.al

Figura e Bogdanit ishte udhërrëfyese e ndriçuese në shekullin e 17-të. Ai është i njohur si autor i veprës “Çeta e profetëve”, përkthyer në gjuhën e italiane, që tashmë komunikon me botën.

Ekspozita do të vijojë dhe përmban libra, fotokopje origjinale të veprës së Bogdanit dhe pjesë të veçanta të veprës “Çeta e profetëve”, botime monografike dhe studimore për Bogdanin, si edhe artikuj nga revista e gazeta të ndryshme.

***

Pjetër Bogdani (1625-1689) lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare.

Vendlindja nuk dihet sot ku gjendet, në Breg të Drinit, në Gjonaj, apo diku gjetiu, disa thonë ndoshta në Zym apo në Zhur. “Guri i Hasit” përmendet qysh në vitin 1330, sot Shëngjeçi, afër Mazrekut, apo Guri, afër Zymit të sotëm. 

Nipi i tij Don Gjon Bogdani, jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar qysh në fëmijëri dhe në rini arqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683), ungji apo xhaxhai i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit (Bullgari), më pas në kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649.

Më vonë, ka vazhduar studimet në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë (1655). Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 – 1656.

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20-vjeçar, në Tivar në vitin 1677, për afro 10 vite dhe së fundi, arqipeshkëv i Shkupit në vitin 1677, për 12 vjert, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit.

Jeta dhe vepra madhore e Imzot Pjetër Bogdanit, nuk mund të kuptohet e aq më pak të interpretohet, pa dimensionin e thellë të fesë apo besimit në dy drejtime: me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, si dhe me Popullin ilir, arbëror dhe shqiptar, ideale këto që ishin gjithnjë frymëzim i pashtershëm për jetën dhe veprimtarinë e tij në rrethana tejet të vështira, gati të pamundshme.