Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është rihpaur, pasi ndërtesa u rikonstruktua, pas dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka parë nga afër ambientet e reja të rikonstruktuara.
“Përfundoi në kohë rekord gjithë pjesa e rehabilitimit. Sigurisht që më e mira do të vijë vitin tjetër, me ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, megjithatë me ç’ishte dhe me atë që na shkaktoi tërmeti u rehabilitua në kohë shumë të shpejtë,”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se puna nuk do të ndalet dhe të gjitha struktura shëndetësore do të rindërtohen pa ndërprerë në asnjë moment shërbimin shëndetësor për qytetarët.
“Puna këtë vit nuk do të ndalet për Programin e Rindërtimit, me spitalin e Laçit si dhe qendrat shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti të cilat do të përfshihen në Programin tonë të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. E rëndësishme është që qytetarëve nuk u mungon shërbimi në qendrat shëndetësore apo spitalet që kanë patur dëmtime”, tha ministrja.