MENU
klinika

Përgjigjet Ministria e Jashtme greke

“Greqia është çmendur”, Erdogan provokon sërish

19.01.2020 - 18:59

Greqia dhe Turqia sërish kanë folur ashpër për njëra-tjetrën disa orë përpara takimit për situatën në Libi në Berlin.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëri u përgjigj në mënyrë agresive të dielën në mëngjes, përpara se të nisej për në Berlin.

Ai pohoi se Greqia është “çmendur”, për shkak se nuk ishte ftuar në mbledhjen e Berlinit, dhe tha se Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis është duke ndërmarrë “hapat e gabuar” duke ftuar Marshallin Khalifa Belqasim Haftar, i cili po lufton kundër qeverisë së njohur të Libisë në krye të Ushtrisë Kombëtare Libiane, për bisedime në Athinë.

Erdogan shtoi se Mitsotakis po vepron në mënyrë të gabuar edhe për sa i përket marrëdhënieve bilaterale me Turqinë.

Ministria e Jashtme e Greqisë u përgjigj menjëherë: “Për sa i përket hapave të duhur, është paradoksale, që njeriu që shkel shpesh ligjin ndërkombëtar në rajonin tone, përpiqet të japë mësime”.

“Një shqetësim i vazhdueshëm për Greqinë janë pengesat që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe jo vërejtjet e pabaza dhe provokuese,” shtoi ministria e jashtme.

Greqia ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se do të vinte veton ndaj çdo vendimi të marrë në Berlin nëse samiti nuk do të kundërshtonte marrëveshje nmidis qeverisë libiane dhe Turqisë që përcaktonte kufijtë detarë midis dy vendeve jo fqinje në Mesdhe.

Marrëveshja është kritikuar, ndër të tjera nga Bashkimi Evropian, Egjipti, Rusia dhe SHBA, si dhe Haftar, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Kombëtare të Libisë.

Sidoqoftë, duket se takimi në Berlin nuk do të merret me çështjen e kufijve detarë, duke u përqendruar në vend të kësaj tek marrëveshja e paqes në Libi.

Turqia ka pretenduar se ka të drejtën e saj për të shfrytëzuar Mesdheun për rezervat e gazit dhe të naftës, duke kundërshtuar të drejtën e Qipros për ta bërë këtë, të paktën brenda kufijve aktualë të Zonës Ekonomike Ekskluzive të Qipros. Ajo ka dërguar anije shpuese në zonë, të shoqëruara me anije lufte. Kjo bëri që presidenti qipriot Nicos Anastasiades ta etiketojë Turqinë si “pirat rajonal” në komentet që ai bëri të dielën.

Përkthyer dhe përshtatur nga gazeta greke Kathimerini/ konica.al