Qendra Kombëtare e Librit do të kryesohet nga Alda Bardhyli. E zgjedhur nga ministrja e Kulturës, studiuesja e konsideron sfidë profesionale këtë nismë, që ka në qendër letrat shqipe. Nëpërmjet platformës së saj, si kryetare e qendrës, Bardhyli dëshiron të ketë sa më shumë ndërgjegjësim për rritjen e numrit të leximit të letërsisë shqipe, si brenda dhe jashtë vendit.
“Mendoj se të qenit në krye të një institucioni kombëtar është një sfidë e bukur profesionale, që kam besim se do të jetë e suksesshme. Unë besoj shumë në rritjen e ndërgjegjësimit të leximit, besoj që libri, letërsia, mbetet e vetmja liri me të cilën mund të shkojmë tek edukimi, tek vazhdimësia. Këto nuk mund të vijnë ndryshe, veçse nëpërmjet politikave të librit. Platforma ime ka të bëjë me librin dhe autorët shqiptarë. Në fokus të kësaj qendre do të jenë të gjitha politikat që mbrojnë autorët dhe botuesit, në mënyrë që libri të marrë vëmendjen e duhur” – ka thënë ajo, për mediet.
Qendra e Librit do të jetë në funksion gjatë muajit shkurt edhe vëmendja, nuk do të jetë vetëm tek autorët dhe bibliotekat në Tiranë.
“Muaji shkurt do të finalizojë këtë proces që ka nisur prej disa javësh. Ekipi që do t’i bashkëngjitet do të ketë në qendër të vëmendjes, jo vetëm bibliotekat në Tiranë, por edhe ato në rrethe. Do të zhvillojmë politika zhvillimi, duke i dhënë status autorit shqiptar, por edhe do të ringjallim letërsinë e atyre autorëve, që janë pjesë e letërsisë sonë, por për të cilët nuk është folur sa duhet deri tani. Janë shumë iniciativa, të cilat me dëshirën që libri të jetë arma kryesore ku mbështetet një shoqëri, mendoj se qendra do arrijë t’i kryejë”.
Teksa na rrëfen se në qendër të ekipit që do të merren librin, do të ketë profesionistë, të botimeve dhe bibliotekave në rrethe, shton se nuk do të mungojnë bashkëpunimet me organizatat e huaja. Ndërsa, puna e parë e Bardhylit si kryetare, nis në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë
“Mendoj që ta bëjmë edhe sa më prezent letërsinë shqipe jashtë vendit, duke ndihmuar përmes koperimeve me organizata të huaja, edhe më tej për të përçuar kulturën tonë shpirtërore. Puna ime e par,ë do të nisë më një vizitë në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë. Ky është modeli më i mirë, ku mendoj se modeli shqiptar duhet të mbështetet. Është shumë e rëndësishme, që gjuha edhe kultura shqiptare të përçohet edhe në kulturat e tjera”.
Bardhyli, ka theksuar se: “Buxheti minimal, prej vetëm 10 milionë lekësh, është një start i mirë, për të nisur një punë që është në shërbim të librit edhe të trashëgimisë sonë shpirtërore”.
Qendra Kombëtare e Librit është në varësi të Ministrisë së Kulturës.