Kenzaburo Oe është një figurë e njohur në letërsinë bashkëkohore japoneze, kryesisht për luftën e tij kundër energjisë bërthamore dhe për çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1994. I apasionuar pas gjithçkaje që të shkakton mërzi, ai është një shkrimtar i njohur në mbarë botën. Shkrimtari dhe akademiku japonez, lindi më 31 janar 1935, me ndikim të fuqishëm nga letërsia franceze dhe amerikane, të cilën e ka gërshetuar me atë japoneze. Po ashtu, Oe ka një përgatitje të lartë në fushën e teorisë së letërsisë. Përmes penës së tij, Kenzaburo Oe sjell një vepër inteligjente, pa u shqetësuar për rregullat e ngurta letrare apo strukturore, apo edhe për paragjykimet e lexuesve të zakonshëm./Konica.al Kenzaburo Oe e humbi të atin në Luftën e Dytë Botërore dhe thotë se ishte disfata japoneze ajo që e bëri atë një romancier. Një figurë kulti, ai shkroi një cikël librash për marrëdhëniet me djalin e tij autik, Hikari, por jo vetëm, veprimtaria e tij letrare është tejet e gjerë. Shkrimtari ia ka kushtuar jetën trajtimit të subjekteve të caktuara: viktima të bombës atomike të Hiroshimës, kryengritjet e qyetatarëve të Okinawa-s, sfidat e personave me aftësi të kufizuara, disiplina e jetës studentore…
Oe është më shumë një shakaxhi i hirshëm, pafundësisht modest dhe gazmor. “Puna e shkrimtarit është punë e një kllouni, – shprehet Oe, – klloun që flet edhe për pikëllimin”.
Vlen të theksohet gjithashtu, se në vepër Oe eksploron folklorin dhe mitologjinë, që i ka dëgjuar nga nëna dhe gjyshja, të cilat zakonisht paraqesin një narrator i cili detyrohet të ekzaminojë vetëmashtrimet që ai ka krijuar për hir të të jetuarit në një komunitet.
Oe lindi në 31 janar 1935, në një fshat të vogël në ishullin Shikoku dhe u rrit duke besuar se perandori ishte një perëndi. Ai thotë se shpesh e imagjinonte atë si një zog të bardhë dhe ishte i tronditur kur zbuloi se ai ishte thjesht një njeri i rregullt me një zë të vërtetë, kur e dëgjoi të lajmëronte dorëzimin e Japonisë në radio në 1945. Në 1994 pranoi çmimin “Nobel” në Letërsi, por më pas refuzoi nderin më të lartë artistik të Japonisë, “Urdhrin e Kulturës”, për shkak të lidhjeve me të kaluarën, kohë kur adhuronte perandorin e vendit të tij. Histori “Shtatëmbëdhjetë” (1961), u bazua lirshëm në vrasjen e vitit 1960 të një drejtuesi të Partisë Socialiste nga një student i krahut të djathtë, i cili më vonë bëri vetëvrasje. Këtë herë Oe mori kërcënime nga të dyja anët: nga ekstremistët e krahut të djathtë, të cilët ndienin se romani denigronte trashëgiminë e qeverisë perandorake dhe kritika nga intelektualët e krahut të majtë dhe artistët, të cilët mendonin se ishte përkrahës i një terroristi. Që prej ka qenë në qendër të vëmendjes politike dhe e konsideron aktivizmin njëlloj si puna e jetës – të shkruarit.
Ky shkrimtar origjinal, që hedh poshtë sistemin e vlerave të shoqërisë ekzistuese dhe pasqyron pyetjet dhe shqetësimet e brezit të pasluftës, ka shkruar shumë romane, novela dhe sprova, duke u bërë një nga autorët më të njohur në mbarë botën. Ndër të tjera përmendim: “Shënime për Hiroshimën”, “Një jetë e qetë”, “I nderruari i shejtanit”, “Vdekje nga uji”, “Shpirti i mashtruar”, “Çështje personale”, “Memorandum” (1976), “Zgjohuni, o të rinj të epokës së re!” (1986) dhe “Një jetë e qetë” etj.
Gjithsesi, nobelisti mbetet një figurë e diskutueshme në Japoni. S’ka dyshim për këtë, pasi kontradiktat në punën e tij, letrare dhe teorike, janë të shumta. Kundërshtar i ashpër i energjisë bërthamore, ushtarake dhe civile, gjithsesi ai vijon të celebrojë heroizmin e luftëtarit që gjeti lavdi në sakrificë./Konica.al