Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), përmes një njoftimi, ka dhënë detaje lidhur shtetasen britanike, e cila rezultoi negative pas dyshimeve për koronavirus.
Sipas IKSHP-së, të shtunën rreth orës 17.00 ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK se një paciente me nënshtetësi britanike është referuar nga Qendra Emergjente e Gjilanit për në Klinikën Infektive.
Pacientja është staf ndërkombëtar në Kosovë dhe e njëjta ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë, para disa ditësh. Pacientja është vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe në aspektin klinik ka pasur ethe të lehta dhe kollitje të lehtë.
Sipas Institutit të Shëndetësisë, menjëherë është marrë mostra për analizë laboratorike dhe është sjellë për diagnostikë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në ora 19.00.
“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë pacientja nuk është e infektuar me novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe me influenza A dhe B”, përfundon njoftimi.
Duhet përmendur se numri i vdekjeve nga coronavirusit në Kinë është rritur në 813, dhe numri i rasteve të konfirmuara u rrit në 34.598, sipas të dhënave zyrtare të lëshuara të shtunën.