MENU
klinika

Nga Alban Daci

Njohja e Kosovës nga Serbia dhe heqja e taksës!

06.03.2020 - 15:09

Atëherë, Kosova duhet të ishte njohur menjëherë pas konfliktit siç ndodhi me Kroacinë, apo pa konfliktit me Slloveninë, Maqedoninë dhe me Malin e Zi.

Madje, nëse në republikat e tjera kishte një përqindje të madhe të pranisë së etnisë sllave, e përsëri Serbia nuk ka hezituar t’i njoh si vende të pavarura. Ndërsa Kosova e gjitha tokë etnike Shqiptare ku edhe ato 10% sllavë u sollën si kolon, përsëri Serbia edhe pas një dekade nuk nguron ta njohë Kosovën. Atëherë pse Serbia njohu Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen, Maqedoninë dhe Malin e Zi? Për disa arsye:

1. Së pari nga frika. Serbët e njohin frikën me shumë se çdo popull në Ballkan. Nuk kanë asnjë fitore për trimëri apo guxim në histori. Faktori ndërkombëtar kishte interesa të forta dhe ushtronte diktat mbi Serbinë për njohje. Këtu mjafton të përmendim rastin e Sllovenisë dhe presion nga pala e Austrisë dhe Gjermania!
Po përse Serbia nuk e njeh Kosovën edhe pse duhet të ishte e para që duhet të njihej nga Serbia?

Faktori ndërkombëtar është tallur me Kosovën dhe e ka përdorur këtë të fundit si karrem të vazhdueshëm për të vazhduar presionin e vazhdueshëm mbi Serbinë që kjo të qëndrojë pranë Perëndimit dhe jo të shkojë drejt lindjes ashtu siç është orientuar natyrshëm nga historia. Në këtë rast jam dakord me shprehjen e Kurtit se: duhet të çlirojmë Serbinë nga Kosova!

Së dyti, BE nuk ka qenë plotësisht e interesuar që Kosova të ishte shtet i pavarur, sepse me situatën aktuale institucionet e BE mbajnë nën diktat Serbinë në procesin e integrimit.
Së treti, me status-quon aktuale të Kosovës, mbajnë peng e pezull proceset unifikuese apo të vazhdueshme të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Së katërti, Kosova nuk është nje kauzë në vete dhe e izoluar, por është kauza për një efekt zinxhirë të shqiptarëve në Ballkan!
Siç thuhet, institucionet amerikane po kërkojnë me ngulm që Qeveria e Kosovës të heq taksën 100%. Kontributi i SHBA në pavarësinë e Kosovës është themelor dhe i jashtëzakonshëm dhe me siguri kërkojnë të kalojnë topin e fajit dhe të përgjegjësisë në fushën serbe. Një situatë e ngjashme me rastin e Rambujesë në Francë, ku shqiptarëve ju kërkua nënshkrimi dhe pranimi i autonomisë, duke qenë të sigurt se Serbia nuk do e pranonte. Në fakt kështu ndodhi, Serbia nuk e pranoi.

Këtë herë kemi kërkesën për heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës, por nuk kemi asnjë kërkesë konkrete publike ndaj Serbisë. Gjithsesi, ajo që është e sigurt është se Serbia nuk do e njohë Kosovën edhe nëse hiqet taksa pa marrë territor nga territori i Kosovës. Situata është shumë më e komplikuar nga se prezantohet nga ndërkombëtarët. Kam përshtypjen se Kosova duhet të bëhet gati të heqë taksën e bashkë me të edhe disa nga territoret e saj! A janë gati shqiptarët ta bëjnë një gjë te tillë? A duhet që përsëri shqiptarët të heqin dorë nga të drejtat e tyre? Pse faktori shqiptar në Rajon po përçahet?

A duhet që egoja për pushtet të jetë kaq e fortë sa të përçajë shqiptarët? Nëse shqiptarët nuk e kanë sovranitetin e tyre në dorë e nuk janë as në gjendje ta mbrojnë, atëherë le ta lëshojnë pikërisht sovranitetin në dorën e ndërkombëtarëve duke u bërë spektatorë të fateve të tyre!