Reshjet e shumta të shiut që përfshinë vendin tonë 24 orët e fundit kanë rritur nivelin e ujit në lumin Shkumbin por, Bashkia e Divjakës bën të ditur se lumi nuk ka dalë nga shtrati.
“Deri në këto momente uji nuk ka dalë nga shtrati në asnjë nga fshatrat që shtrihen gjatë lumit, megjithatë strukturat e bashkisë: administratorët ,kryetarët e fshatrave, emergjencat, policia bashkiake janë në gatishmëri të plotë duke monitoruar situatën nga afër”, bën të ditur Bashkia përmes një njoftimi për shtyp.
Në çdo rast, Bashkia apelon banorët të ndjekin udhëzimet dhe të bashkëpunojnë me strukturat e bashkisë për të evituar çdo lloj problemi të mundshëm.
Prefekti i qarkut të i Fierit, Baki Bala deklaroi se prurjet në lumin Shkumbin kanë çuar nivelin e ujit në kufijtë maksimal të shtratit të tij, por situata është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri. “Situata në lumin Shkumbin, në qarkun e Fierit është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri”.
Ishte dje, zv.kryeministri, njëherësh deputeti i zonës, Erion Braçe ai që iu bëri thirrje banorëve të linin shtëpitë, pasi lumi mund të dilte nga shtrati.
“Cdo banor i fshatrave Cerme e Siperme, Proshke, Cerme Pasha, Cerme Shkumbin, Sulzotaj, ti bindet urdhrave te kryepleqve dhe policise per tu larguar vete dhe cdo kafshe, mjete nga toka e argjinatures se lumit-buza e lumit deri ne argjinature! Menjehere! Bindjuni urdherave te autoriteteve!”,– tha Braçe.