MENU
klinika

"Mendimet dhe lutjet shkojnë për familjet e viktimave"

Tragjedia italiane me COVID-19, reagon Meta

21.03.2020 - 09:37

Teksa tragjedia italiane thellohet çdo ditë e më shumë, për shkak se numri i viktimave nga COVID-19 rritet, presidenti Ilir Meta i dërgon një mesazh ngushëllimi Italisë fqinje.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Meta thekson se në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet e shqiptarëve shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave iu shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar.

MESAZHI I METËS
?? | Dita e djeshme shënoi një tjetër bilanc tragjik për Italinë tonë të dashur.
Në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave ju shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar.

Me urimin për shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga kjo pandemi, dhe shëndet të plotë për mbarë popullin italian, i cili me kulturën dhe civilizimin e tij i ka frymëzuar të gjithë kombet për progres shoqëror, shpreh bindjen se nën drejtimin e udhëheqësve të saj, Italia do ta kalojë këtë krizë të rëndë për të, por edhe për ne, dhe Europën!
Me vëmendje dhe shqetësim të veçantë jam duke ndjekur çdo ditë edhe situatën në bashkësitë tona të dashura arbëreshe duke u interesuar për shëndetin e tyre, si edhe të qindra mijëra shqiptarëve, të cilët jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë prej vitesh në Itali, së bashku me familjet e tyre. Një mirënjohje dua të shpreh për të gjithë mjekët dhe personelin shqiptar të integruar në sistemin shëndetësor italian, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrifica të pashembullta po bëjnë çdo gjë për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi kaq të rëndësishëm për kombin shqiptar.
Ne u jemi thellësisht falenderues, pasi angazhimi i tyre fisnik dhe njerëzor bëhet, jo vetëm në emër të humanizmit, por edhe të mirënjohjes së mbarë popullit shqiptar, i cili sa herë ka përjetuar tragjedi dhe kriza të mëdha, ndihmën dhe mbështetjen e parë e ka gjetur te Italia dhe populli i saj bujar dhe i mrekullueshëm.
Kam besimin e palëkundur se Italia jonë e dashur do ta kalojë me kurajo e vendosmëri këtë krizë të rëndë.