Pezullimi i shumë aktiviteteve në vend, përfshi edhe futbollin, po ndikon direkt te klubet shqiptare, që janë aq të brishta përballë kësaj pandemie. FSHF nuk e mendon ende se mund të japë një kampionat në tavolinë.
Mirëpo, fakti që nuk ka asnjë garanci se kur mund të rinisë gara në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, ky skenar mund të bëhet i besueshëm, edhe pse çdo gjë do të varet nga pandemia pas përhapjes së koronavirusit.
FSHF po bën llogari që deri në fund të qershorit të kenë mbyllur çdo aktivitet. Sektori i garave ka bërë një kalendar paraprak, që mbetet thjesht si ide. 10 klubet e Superiores janë njohur me disa propozime për rifillimin e kampionatit dhe këtë e ka konfirmuar në një intervistë për “Top Channel” edhe vetë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
“U kemi dërguar klubeve disa variante për vazhdimin e kampionatit dhe datat e mundshme se kur mund të rifillojë, në mënyrë që më pas të vendosë Komiteti Ekzekutiv në FSHF. Gjithmonë do të veprohet në varësi të situatës.
Pra, nëse ajo precipiton ose jo dhe kur do të dalim nga kjo gjendje. Nëse flasim për Superioren, kanë mbetur pa u zhvilluar 10 javë kampionat dhe gjithashtu 5 ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Nga versionet që janë propozuar, data e fundit që kemi planifikuar është nëse kampionati do të rifillojë më 16 maj.
Nëse edhe kjo nuk ndodh dhe do të shtyhet sërish, atëherë do të kemi një vendimmarrje tjetër për vazhdimësinë e garës. Nuk e kemi parë si opsion dhënien e kampionatit në tavolinë. Kjo ndoshta mund të mendohet në një tjetër vendimmarrje, por për momentin ne shpresojmë që të dalim shpejt nga kjo situatë dhe kampionati të rifillojë dhe të mbyllet normalisht”, – u shpreh Shulku, që kërkon ndihmën e shtetit për të ndihmuar sadopak.
“Kriza financiare? Jemi duke përgatitur një shkresë, ku do t’i kërkojmë qeverisë shqiptare, që siç funksionon në të gjitha bizneset e tjera, edhe klubet të kompensohen me një pjesë nga shteti”, – është shprehur sekretari i përgjithshëm i FSHF.
Nëse do të merrej i mirëqenë skenari për të dhënë verdiktet e sezonit 2019-2020, pas vetëm 26 javësh kampionat, atëherë Tirana do të ishte kampione dhe do të luante në turin e parë të Champions. Ndërsa Kukësi, Laçi dhe Teuta në turin e parë të Ligës së Europës.
Në vend të katërt është Skënderbeu, por duke qenë i dënuar nga UEFA, në këtë mënyrë rruga i hapej Teutës së vendit të pestë. Megjithatë, për momentin këto janë vetëm hipoteza, edhe pse një skenar të tillë e kanë diskutuar Federata të vendeve të tjera në Europë.