Presidenti rus Vladimir Putin e di se si të investojë dhe të përfitojë nga marrëdhënia me publikun, dhe pandemia e Covid-19 nuk ka qenë përjashtim.
Të mërkurën, një aeroplan rus An-124 zbarkoi në aeroportin John F. Kennedy të New York-ut duke transportuar një dërgesë të furnizimeve mjekësore, përfshirë ventilatorë dhe pajisje mbrojtëse personale, për të ndihmuar spitalet dhe komunitetet amerikane.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pala ruse i ofroi ndihmë Uashingtonit, njoftoi të martën agjensia shtetërore e lajmeve RIA-Novosti. “Trump e pranoi me mirënjohje këtë ndihmë humanitare,” tha Peskov, sipas RIA.
Në fillim, dukej si një teknikë e marrëdhënieve me publikun: Rusia, dikur marrëse e ndihmës amerikane pas rënies së Bashkimit Sovjetik, tani po vinte në ndihmë të kombit më të pasur në botë.
Por në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Morgan Ortagus theksoi se dërgesa ishte një blerje, jo një dhurim.
Kremlini, megjithatë, e konsideroi dorëzimin si një veprim humanitar.
Atëherë, pse Putini po dërgonte ndihma jashtë vendit, pikërisht në një moment kur rastet e koronavirusit duket se po shtohen në vetë Rusinë?
Rusia zyrtarisht ka 3.548 raste të koronavirusit, sipas të dhënave.
Kjo është një shifër relativisht e ulët, në krahasim me Kinën ose Shtetet e Bashkuara.
Por autoritetet ruse kanë sinjalizuar se ata presin që situata të përkeqësohet.
Dërgesa e pajisjeve të nevojshme për SHBA-në, ka marrë disa kritika në Rusi, ku raportet për mungesat e pajisjeve mbrojtëse kanë shkaktuar shqetësime.
Në një telefonatë konferencë me gazetarët të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mbrojti veprimet e Rusisë.
“Gjithmonë ka kritikë për këtë natyrë, por në të njëjtën kohë bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e koronavirusit është një masë shumë e rëndësishme e veprimtarive të çdo vendi,” tha Peskov. “Asnjë vend nuk mund të luftojë në mënyrë efektive virusin vetëm pa bashkëpunim ndërkombëtar.”
Ndërkombëtarisht, kjo është një mënyrë relativisht e lirë për Putinin që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Presidentin Donald Trump.
Rusia, në fund të fundit, mbetet nën sanksionet amerikane dhe evropiane mbi aneksimin e Krimesë në vitin 2014, dhe marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë disi të tensionuara.
Përkthyer dhe përshtatur nga CNN/ konica.al