Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka shkaktuar edhe një herë irritim në opinionin publik vendas duke mos respektuar rekomandimet e vetë qeverisë së tij për distancimin shoqëror gjatë pandemisë së koronavirusit.
Eduardo, djali i Bolsonaros, publikoi një video ku tregon babanë e tij duke vizituar një furrë buke në kryeqytetin Brazilia, të enjten në mbrëmje.
Në video, presidenti i djathtë mund të shihet duke ngrënë, duke pirë dhe duke u fotografuar me disa persona që qëndrojnë pranë tij.
Ndërsa disa prej atyre që janë në video kanë vënë maska, Bolsonaro nuk e ka vënë atë. Sipas televizionit G1, Bolsonaro u pa gjithashtu midis turmave të premten në Brazilia. Disa banorë protestuan kundër presidentit duke qëndruar në dritaret e tyre dhe duke bërë zhurmë me tenxhere.
Bolsonaro e konsideron pandeminë një grip të vogël duke bërë thirrje për një “kthim në normalitet”.
Dje, Brazili u bë vendi i parë në Amerikën Latine që konfirmoi më shumë se 1 000 vdekje nga koronavirusi.