Një gjest që ka habitur të gjithë. Sportisti italian i garave të biathlon (ski dhe pushkë), Dominik Windisch, ka mbajtur fjalën që i kishte dhënë të fejuarës së tij Julia.
Unaza e fejesës që i ka dhënë asaj është prodhuar me materialin e medaljes së bronztë që ai pati fituar në Lojërat Olimpike “Pyeongchang 2018”. Në këtë Olimpiadë, italiani fitoi dy medalje të bronzta dhe njërën prej tyre e përdori për të përgatitur unazën.
Ideja i kishte ardhur që pas Olimpiadës dhe gjatë verës, kampioni italian kishte kryer disa takime në fshehtësi me familjen Gamper, që prodhojnë unaza të firmës “Tiroler Goldschmied”, në Merano.
Emocionet dhe puna e madhe për të fituar këtë medalje tashmë është përjetësuar në këtë unazë, që do ta lidhë Windisch përjetë me njeriun e zemrës. Gjithçka është përjetuar në një video.