Ndonëse maji shihet si rifillimi në futbollin shqiptar, trajneri i Kombëtares, Edy Reja, është disi pesimist duke parë masat akoma shtrënguese që ka vendi ynë si pasojë e përhapjes së Covid-19, ku rastet e reja nuk mungojnë cdo ditë.
Në pritje të një përgjigje nga shteti, në këtë debat, nëse duhet apo jo të rifilloj futbolli në këto kushte, është përfshirë edhe trajneri i përfaqësueses shqiptare. Tekniku italian në një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli”, u shpreh:
“Në Shqipëri gjithçka është ndalur, futbolli nuk rifillon. E kanë bërë në Gjermani ku shifrat nga Covid-19 janë të vogla. Unë dëshiroj që të rifillojë, sigurisht duke plotësuar të gjithë kushtet që duhen. Mendoj se në qershor, nëse epidemia do të ulet mund të rifillojmë. Për fat të keq, numri i njerëzve të vdekur mbetet i lartë”.
Reja ka folur edhe për Napolin, ose më saktë për transferimin e Rrahmanit atje dhe mundësi që ka Marash Kumbulla të vishet i kaltër: “Dua ta uroj Napolin që e transferoi Rrahmanin, e kam parë vetë këtë futbollist dhe ka për ta gjetur veten shumë mirë me fanellën e kësaj skuadre.
Ai është kosovar, por unë do të dëshiroja ta kisha në skuadër, sepse ai u thirr kur De Biasi ishte trajner në kombëtaren e Shqipërisë. Kosova e pyeti nëse dëshiron të jetë pjesë e kombëtares së tyre dhe ai tha ‘po’. Do të më pëlqente shumë me kombëtaren shqiptare.
Kumbulla është një lojtar i shkëlqyeshëm që mund të kapet te Verona. Napoli mund të bënte një goditje të madhe me të në merkato, por ka edhe shumë klube të tjera italiane që e duan në Itali. Milan, Inter dhe Juventus, por edhe skuadra të tjera të njohura jashtë Italisë.
Afrimi i Kumbullës do të ishte vërtet një tjetër goditje e madhe për të kaltrit. Unë kam kujtime të shkëlqyera te Napoli, i kujtoj me nostalgji ato vite. Akoma më dërgojnë video dhe foto, para disa ditësh më deeërguar një video nga fitorja kundër Interit me një gol të shkëlqyer të Zalayeta-s”.