Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, në një intervistë të gjatë dhënë për “Top Channel”, është i habitur pse futbolli nuk po nis në vendin tonë. Reja ka rrëfyer si po kalon këto ditë izolimi, planet me Kombëtaren, si dhe lojtarët e rinj që kishte ndërmend të grumbullonte në miqësoret që nuk u zhvilluan në mars.
IZOLIMI – “Edhe pse kjo javë u mendua si një javë lirie, pothuajse e njëjta gjë ndodhi. Me të njëjtat kushte dhe përkujdesje dal jashtë dhe me normat e vendosura të sigurisë. Por mund të them që në vend të shkonte bashkëshortja ime për të bërë pazarin shkova unë, ky ishte ndryshimi.
Bëra një xhiro me biçikletë, rreth 20 kilometra, këtu afër në provincën e Gorizias, sepse kam fat që jetoj këtu. Unë qëndroj në shtëpi prej rreth dy muajsh, por e ndjej veten me fat sepse kam një bahçe dhe jam marrë me lulet gjatë gjithë kësaj periudhe. Dhe si për çudi në këtë vit kanë çelur shumë lule të bukura. Ashtu si ndodh zakonisht, kur gjërat bëhen me dashuri edhe frytet janë të mira”.
PRURJET E REJA – “Më vjen keq që nuk zhvilluam dot dy ndeshjet miqësore me Slloveninë dhe San Marinon. Kisha marrë 5-6 lojtarë të rinj, si Laçi, Mersinaj, Çekiçi, Kamberi dhe Broja. I kisha grumbulluar për t’i parë, prandaj dhe për këtë gjë më vjen keq që nuk munda.
Nga ana tjetër më mungon Shqipëria dhe doja të vija në Tiranë në këtë periudhë, aq më tepër që do të ndryshojmë edhe zyra dhe do të më duhej të sistemoja zyrën e re. Gjithashtu kishim edhe disa bisedime me trajnerët e ekipeve të moshave të kombëtareve dhe jo vetëm, sepse unë kam hartuar sëbashku me stafin tim një projekt për të përmirësuar nivelin teknik.
Së bashku me mua janë edhe ndihmësit e mi, që secili në sektorin e vet, nga mjekët tek videoanalistët, po përpiqemi të nxjerrim element të rinj. Gjithçka ishte programuar për këtë periudhë por ndodhi kjo dhe u stopua“.
FUTBOLLI SHQIPTAR – “Mua më duket e çuditshme se si në Shqipëri nuk ka ende një sinjal se kur mund të rifillojnë stërvitjet dhe ndeshjet. Një vend me më pak njerëz të prekur dhe me më pak rrezik se Italia apo vendet e tjera në Europë, ende nuk kanë asnjë sinjal për futbollin.
Mund të gjendet një zgjidhje se në disa shtete të tjera, unë kam folur me disa nga lojtarët dhe ata kanë filluar stërvitjen në grupe. Për mendimin tim Shqipëria duhet të kishte rifilluar, pasi për fat të mirë nuk ka kaq shumë raste. Sigurisht duke marrë masat e nevojshme, sepse shëndeti është mbi të gjitha.
Në Itali ndoshta mund të rifillojë futbolli në qershor, por të paktën kanë filluar që tani të provojnë. Në këtë situatë më ka ndryshuar edhe mua shumë puna. Fakti që nuk luajnë skuadrat dhe nuk stërvitem, edhe unë s’kam ku të shkoj dhe të shoh.
U kisha lënë shumë takime me lojtarë që do të shkoja t’i shihja si Kamberin apo Laçin që nuk i kam ndjekur. Më mungon shumë kjo pjesë e punës time. Ka shumë të tjerë që i kam parë më parë, por tani nuk di se si janë. Përndryshe do të na duhet të shihemi direkt në shtator”.
PAGA – “Për mua nuk është problem i madh pjesa ekonomike. Kam folur edhe me stafin tim. Nëse na duhej të hiqnim dorë nga ndonjë rrogë apo nga ndonjë pjesë e rrogës, ne ishim gati. Folëm edhe me presidentin i cili na kërkoi nëse mund të kontribuonim dhe sigurisht i thashë që ne mund të heqim dorë dhe të kontribuojmë.
Ka njerëz që, edhe pse duken profesionistë në pamje të parë, kanë probleme shumë më të mëdha. Kanë probleme ndoshta edhe për t’u ushqyer. Nëse është një kërkesë për të ndihmuar në situata të tilla, ne jemi gjithmonë gati”.
KOMBËTARJA – “Objektivi ynë është që të fitojmë grupin në eliminatoret e ardhshme, me Bjellorusinë, Lituaninë apo Azejrbaxhanin. Sigurisht edhe ato janë skuadra kompetitive, por ne nuk jemi më pak. Për atë pjesë të ndeshjeve që unë drejtova kam parë një rritje të dukshme. Një gjë të tillë e treguam në Islandë apo në Turqi.
E vemtja që na prishi disi ecurinë në eliminatoret e shkuar ishte Andorra, sepse sa i përket Francës të gjithë e dimë diferencën. Duam t’i afrohemi më shumë kampionatit shqiptar. Ka qenë një kërkesë e presidentit Duka që ne t’i japim një dorë futbollit në Shqipëri. Nga këndvështrimi teknik apo organizativ.
Kam folur me pjesëtarin e stafit, Gianluca Stessina, i cili ka filluar kontaktet me universitetet për të gjetur mjekët e rinj, që do të jenë kudo në ekipet kombëtare. Do të bëjmë sigurisht edhe teste të shumta, por kjo periudhë pandemie na i ngadalësoi ritmet. Unë do të merrem me trajnerët shqiptarë, për të dhënë leksione dhe jo vetëm, ndërkohë që Febrari do të merret për të gjetur përgatitësit atletikë.
Edhe ai po krijon kontaktet dhe po kërkon në për universitete për të gjetur elementët e duhur. Duam shumë që të ndihmojmë futbollin tuaj me të gjithë njohuritë tona për të arritur diçka pozitive. Nuk di se sa efikase do të jetë kjo gjë, por këtë do ta shohim në një kohë të dytë.”