Në vend që të përdorin të gjitha fuqitë e qeverisë federale amerikane për të kufizuar dëmet e COVID-19, administrata e Presidentit Donald Trump po harxhon kohë dhe energji, duke fajësuar Kinën për përhapjen e virusit.
Madje flitet për një luftë të re të ftohtë. Por nëse Shtetet e Bashkuara me të vërtetë kanë ndërmend të përballen me Kinën në një luftë për udhëheqjen globale, Trump nuk po e bën siç duhet.
Edhe pse qeveria kineze po dërgon ndihma dhe furnizime për të luftuar pandeminë në disa vende nëpër botë, dhe madje duke dërguar ekipe mjekësore, Trump ndërpreu udhëtimet ajrore nga Evropa, madje pa u shqetësuar të informojë aleatët evropianë të Amerikës. Që nga muaji mars, qeveria kineze ka kontribuar me 50 milion dollarë në Organizatën Botërore të Shëndetit, ndërsa Trump, duke pretenduar se OBSH është “qendra e Kinës”, ka ngrirë fondet e SHBA.
Kur ministrat e jashtëm të G7 mbajtën një video-konferencë për të diskutuar një strategji të përbashkët për të luftuar COVID-19, Sekretarit i Shtetit amerikan Mike Pompeo insistoi që patogjeni të quhej “virusi i Wuhanit”. Ministrat e tjerë e përfunduan konferencën pa një konkluzion.
Kjo ka pasoja sigurisht. OBSH refuzoi të pranojë suksesin e Tajvanit në kufizimin e virusit, apo edhe të pranojë Tajvanin si anëtar, nga frika e Kinës. Dhe ndërsa qeveria amerikane po promovonte teoritë e komplotit për Kinën, Bashkimi Evropian zbuti kritikën e tij për dezinformim të qëllimshëm kinez pasi Kina kërcënoi të hakmerrej.
Efektiviteti i kërcënimit të Kinës është një shenjë e fuqisë së saj në rritje ekonomike.
Me sa duket, taktika të tilla do të ishin më pak efektive nëse aleatët perëndimorë, si dhe palë të tilla të interesuara si Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet e Azisë Juglindore, do të bashkoheshin. Në të kaluarën, çdo front i tillë i përbashkët mbështetej në udhëheqjen amerikane. Por tani nuk po ndodh kështu.
Në fakt, vendet perëndimore rrallë kanë pasur një politikë të përbashkët për Kinën, dhe arsyet për këtë nuk kanë ndryshuar shumë që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, kur Lord Macartney u dërgua nga Mbreti George III për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Perandorinë Kineze. Një nga ironi e këtij misioni të dështuar ishte se Britanikët po kërkonin të tregtonin mallra përveç opiumit me Kinën. Por Perandori Qianlong deklaroi se nuk kishte asgjë që kinezëve iu duhej nga britanikët.
Çështja, sidoqoftë, është që Kina e shihte veten si qendrën e botës së civilizuar. Macartney, i bindur se Britania ishte fuqia kryesore e botës, nuk mund të merrej me Kinën.
Edhe pse ndikimi i Britanisë është zbehur, përplasja e fuqive të mëdha në kohën e Macartney ende kujtohet. Kur Britania njohu Republikën Popullore të Kinës në vitin 1950, vetëm një vit pas revolucionit, SHBA, u zemërua. Deri në vitet 1970, Uashingtoni njohu regjimin nacionalist të Chiang Kai-shek mbi Tajvanin e vogël si qeveria e vetme legjitime e Kinës.
Tani ne jemi përsëri në kohën e Macartney. Kufijtë e Mbretërisë së Mesme janë pak a shumë të njëjta me ato të Perandorisë Qing. Qeveria nuk është më demokratike sesa ishte nën Perandorin Qianlong. Dhe, pas një shekulli luftërash, pushtimesh, varfërie masive dhe gjakderdhje, Kina mbahet përsëri si një model civilizimi që barbarët pritet të ndjekin.
Perspektiva e udhëheqjes globale kineze nuk është tërheqëse. Por SHBA po shpejt po venitet si një alternative. “Shekulli Amerikan” u shënua nga shumë luftëra, ngurtësi ideologjike dhe mbështetje e pakontestueshme për disa diktatura. E megjithatë, aderimi global ndaj udhëheqjes amerikane u bazua gjerësisht në respektimin e një forme qeverisjeje, e cila, sidoqoftë, fliste për aspiratën njerëzore për liri, përfshirë pjesët e botës që flasin kinezisht.
E njëjta gjë nuk është e vërtetë për Kinën sot. Nëse Kina dëshiron të udhëheqë botën, do të duhet të ofrojë më shumë sesa para dhe frikë. Liria ka ende rëndësi. Pse protestuesit studentë kinezë ngritën një perëndeshë prej dhjetë metrash të lartë të Demokracisë në Sheshin Tiananmen në 1989?
Kina nuk do të jetë në gjendje ta çojë atë kauzë në një shkallë globale pa filluar më parë në shtëpi.
Ian Buruma është autori i librave të shumtë, duke përfshirë: Murder in Amsterdam: The Death of Theo Van Gogh and the Limits of Tolerance, Year Zero: A History of 1945, dhe A Tokyo Romance: A Memoir.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al