Poeti, shkrimtari dhe dramaturgu Federiko Garsia Lorka, lindi më 5 qershor 1898 në Grandë dhe vdiq më 19 gusht 1936
Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në luftën civile spanjolle, ku udhëhoqi forcat antifashiste për të penguar ato fashiste, të udhëhequra nga Gjenerali Francisco Franco. Mendohet se është vrarë nga forcat ushtarke antikomuniste në fshatin Alfacar, në Granadë, por dhe sot e kësaj dite, shumë gjëra janë të paqarta mbi vdekjen e tij.
Lorka u lind në fshatin Fuente Vaqueros, të provicës së Granadës. Babai i tij, Federico García Rodríguez ishte pronar tokash dhe fermer. Mësimet e para i mori nga e ëma, e cila ishte mësuese dhe pianiste e talentuar.
Në vitin 1909, kur Garsia Lorka ishte 11 vjeç, familja e tij u zhvendos në qytetin Granadë, në jug-perëndim të Spanjës. Më pas, Lorka ndoqi në shkollën e mesme, ndërsa u diplomua në universitetin “Sacred Heart”, ku studioi art dhe letërsi, kohë kur dhe botoi veprat e para poetike.
***
Aj!
Klithma lë në erë
një hije qiparisash.
(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).
Gjithçka është shkatërruar në botë.
Nuk ngelet asgjë më veç heshtjes.
(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).
Horizonti pa dritë
Është i kafshuar nga flakadanët.
(Unë ju thashë që të më lini
në këtë fushe,
duke qarë).
Dëshirë
Vetëm zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.
Parajsa ime, një fushë
Pa bilbila
As lira,
Me një lum të fshehtë
Dhe një burim të vogël.
Pa shpurë erë
Mbi gjethnajë,
Pa yllin që dëshiron
Të jetë gjethe.
Një dritë e madhe
Që ishte
Xixëllonja
E një tjetre,
Në një fushë
Me shikime të prishura.
Një prehje e qetë
Dhe atje puthjet tona,
Tinguj hënor
Të jehonës,
Hapen shumë larg.
Dhe zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.
Përktheu: Meri Lika
Mëngjes
Dhe kënga e ujit
E përjetshme mbetet.
Eshtë lëngu i thellësive
Që i pjek drithërat.
Eshtë gjaku i poetëve
Që shpirtin e përndan
Në shtigjet e natyrës.
Ç’harmoni derdh,
Kur gufon nga shkëmbi!
Ai shkon te njërëzit
Me gurgullima të ëmbla.
Në mëngjesin e qashtër,
Oxhakët tym nxjerrin.
Fjollat e tyre janë krahë
Që mbajnë retë.
Midis shelgjesh, dëgjoje
Poemën e ujit,
Zog i vogël, pa flatra
Që në bar ka humbur!
Thahen, copëtohen
Tërë drurët këngëtarë,
Shndërrohen në fusha
Malet kryelarta.
Por kënga e ujit
E përjetshme mbetet.
Dritë e kthyer në këngë
Endrrash romantike,
Ai është qiellor,
I zhdërvjellët, i fuqishëm.
Eshtë mjegull, trëndafil
I mengjesit të përjetshëm,
Mjaltë hëne që kullon
Prej yjve të vdekur.
…………………….
Ja përse dhe yjtë
Në valët e tij prehen,
Dhe Afrodita hyjnore
Nga gjiri i tij ka lerë.
Kur ne pimë ujë,
Etje dashurie kemi.
Ai është dashuri e butë,
Që rrjedh, që s’thuhet me fjalë.
Ai është gjaku i botës,
Histori e shpirtit te saj.
Ai ruan të fshehtën
E gojës së njerëzve,
Se ne të gjithë e puthim,
Për t’i shuar etjet,
Eshtë rezervuar puthjesh
Buzësh të vdekura,
Vëlla i zemrës sonë,
Rob i përjetshëm.
…………………….
Kur shuajmë etjen me të,
Ndryshojmë për çudi:
Me fëmijë bëhemi
Dhe pakëz më të mirë.
Brengat tona largohen,
Tërë girlanda të vesuara.
Vështrimet na humbasin
Në vise të praruara.
Ç’lumturi perëndie
Që gjithkush të provoi!
O butësi e ujit,
Ku njeriu shpirtin freskon,
S’ka gjë që mund të matet
Me brigjet e tua të shenjta.
Kur pikëllimi i zymtë
Na ve flatrat e veta.
Marrë nga vëllimi “Lorka, Poezi”, përktheu: Anton Papleka
Gazel i dashurisë së beftë
Askush nuk e kuptonte parfumin
E manjolës së errët të barkut tënd.
Askush nuk e dinte që torturoje
Një kolbër dashurie ndër dhëmbë.
Njëmijë kalushë persianë flinin
Në sheshin me hënë të ballit tënd,
Ndërsa unë – katër net që rrokja
Belin tënd, ku borë kurrë s’pat rënë.
Mes allçie e jaseminësh, degëz të zbehtë
Prej farëzash shihja vështrimin tënd.
Shkronjta e fildishta që thonin “Gjithmonë”
Kërkoja nga gjiri për të t’i dhënë.
Gjithmonë, gjithmonë… kopsht i agonisë,
Të ikshëm e përfytyroj kurmin tënd,
Gjakun e damarëve të tu në gojën time,
Gojaën tënde pa dritë që më vdes në vend.
Përktheu: Aurel Plasari