Shoqëria civile e përfaqësuar nga Sazan Guri ka kërkuar që gjykata e Durrësit të shpallë moskompetencë për hetimin e çështjes ‘Veliera’ dhe më pas ta çojë atë në SPAK.
Në padinë e çuar në Gjykatën e Durrësit janë paditur 5 institucione nga shoqëria civile pasi nuk kanë mbrojtur rrënojat arkeologjike të zbuluara në qytet gjatë gërmimeve për ndërtimin e projektit Veliera. Një vit më parë gjykata lejoi nisjen e punimeve që ishin bllokuar prej dy vitesh, ndërsa shoqëria civile kërkon që rrënojat arkeologjike të mos betonizohen.
Sazan Guri tha se prokuroria kërkonte të pushonte çështjen e ngritur nga shoqëria civile, ku kërkon nga gjykata të verë përballë përgjegjësisë juridike 5 institucione, për papërgjegjshmëri dhe shkatërrim të vlerave publike dhe monumentale në kundërshtim me ligjin e mbrojtjes së monumenteve.
Për këtë arsye shoqëria civile ka kërkuar nga gjykata Durrësit të ndërpresë hetime dhe të shpallë moskompetencën dhe ta transferojë atë në SPAK. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata Durrës duke u lënë afat kohor deri në shtator për të paraqitur dokumentet që ata disponojnë.
“Erdhëm të reagojmë që atë që kërkon prokurori i çështjes Veliera të pushojë çështjen për shkatërrim të vlerave monumentale ku ligji nuk të lejon të bën një cm kub beton në një kohë ku dalin vepra arkeologjike. Këtë mur që ngritur nga perandori Anastasi shyqyr që e zbuluam dhe këta e kanë bërë me beton në kundërshtim me ligjin. Ky mur është ndërtuar 3000 vjet para dhe kultura durrsake është dy shtresa më tepër se ajo e romakeve, ne nuk dimë se çfarë kemi nën këmbët tona. Kërkoj nga ministria e Kulturës të thotë ku janë hedhur gurët që u zbuluan, ku janë fshehur? Gjyqtari na dha kohën e duhur për t’ju drejtuar SPAK dhe kërkon shpallje të moskompetencës nga Gjykata e Durrësit pasi nuk ka kompetencë të hetojë 5 titullarët e institucioneve që janë paditur dhe ta dërgojmë atë në SPAK. Gjykata na mirëkuptoj“, tha Guri.