MENU
klinika

Sulmi me armë në Tushemisht

Renea kap organizatorin dhe 3 bashkëpunëtorë

12.08.2020 - 08:55

Një operacion i policisë së Pogradecit me mbështetjen e forcave Renea dhe uniformat blu të Korçës, kanë bërë për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjeve të ndodhura pranë një hoteli në Tushemisht, ku qëllua me breshëri të shtënash.

Gjatë operacionit, në pyllin e fshatit Vërdovë, Pogradec, në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar, policia kapi organizatorin e këtyre ngjarjeve, person me precedent të theksuar kriminal, i cili mbante dhe armë zjarri pistoletë me vete.

Gjithashtu kapen dhe arrestohen edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të implikuar.

Në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura më datë 1 gusht dhe 8 gusht, pranë hotelit në pronësi të shtetasit J. M., në fshatin Tushemisht, u bë organizimi i operacionit.

Gjatë tij u arrestua Ilir Berberi, 52 vjeç, banues në Pogradec, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike.

Gjithashtu u vunë në pranga edhe Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Ndaj Ilir Berberit, Gjykata e Pogradecit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me persona të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu Berberi dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, Ilir Berberit iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Aktualisht vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zhvillimet e fundit minutë pas minute

33 të vdekur/ Orët kalojnë – bilanci rëndohet